Përmbyllet me sukses projekti “Master në Kriminologji”, me një aktivitet të organizuar në Fakultetin e Drejtësisë,Universiteti i Tiranës, me datë 12.12.2024.
Prof.Dr.Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, e vlerësoi këtë projekt dhe ngritjen e këtij masteri si një arritje të madhe dhe dëshmi përkushtimi, për të përmirësuar kapacitetet e kërkimit shkencor, metodat më të avancuara të studimit të kriminalitetit, dhe gjetjes së zgjedhjeve efektive në luftën kundër parandalimit të krimit.
Masteri Ekzekutiv në Kriminologji, ofron një program multidisiplinar që i shërben studentëve, profesionistëve të ligjit, që të rrisin aftësinë e tyre juridike dhe praktike në luftimin e kriminalitetit. Suksesin e këtij projekti e demonstron dhe numri gjithmonë e në rritje i studentëve që kanë shprehur interes për ndjekjen e këtij programi. Ajo falenderoi Misionin e Shteteve të Bashkuara në OSBE, Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverinë e Italisë dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, për finacimin e këtij projekti.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Artan Hoxha, falenderoi mbështetësin kryesor, Misionin e OSBE në Shqipëri dhe bashkëpunimin me shtetet e tjera, institucionet dhe organizatat që bënë të mundur ngritjen dhe zhvillimin e Masterit në Kriminologji. Ky master është Masteri i parë Ekzekutiv i këtij lloji, i aplikuar në Shqipëri, që vuri në zbatim ligjin e ri për arsimin e lartë. Kjo falë punës së Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Shkencave Sociale, dhe aktorëve ndërkombëtare që ky master të ndërtohet dhe të ecë i sigurtë në hapat e tij.
Ambasadori Z.Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, vlerëson punën dhe përkushtimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në realizimin e këtij projekti dhe vënien në jetë të programit mësimor-Master Ekzekutiv në Kriminologji. Prezenca e ka nisur zbatimin e këtij projekti prej Janar 2019, me qëllim forcimin e kapaciteteve kërkimore të profesionistëve, akademikëve e politikbërësve. Sipas ambasadorit Tarran, ky master do ti shërbejë parandalimit të krimit, si një dukuri komplekse sociale, zhvillimit dhe miratimit të mjeteve të reja për parandalimin e krimit, krijimi i fokusit tek drejtësia restaruese, viktimat e krimit etj.
Prof.Asoc.Dr.Edvin Lame, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, vlerësoi bashkëpunimin midis dy Fakulteteve, si të rëndësishëm për mbarëvajtjën me sukses të këtij masteri, si dhe të çdo iniciative tjetër me kontribut shoqëror në të ardhmen.
Në këtë panel ishtë e ftuar dhe Zj.Ingrida Mustafa, studente e Masterit Ekzekutiv në Kriminologji, e cila shprehu vlerësimin maksimal për këtë program mësimor, cilësinë e lartë të mësimdhënies së personelit akademik të angazhuar, si dhe punën cilësore kërkimore të ndjekur përgjatë zhvillimit të kurrikulës mësimore.
Shprehim mirënjohjen për të gjithë aktorët e angazhuar në këtë projekt, si dhe gadishmërinë e Fakultetit të Drejtësisë, për të qenë pjesë e projekteve të tilla madhore edhe në të ardhmen.







