Rreth Revistës "Studime Juridike"

Revista “Studime Juridike” është një nga kontributet shkencore më të rëndësishme të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Nga shtatori i vitit 2001, kur doli nga shtypi numri i saj i parë, ajo vijoi të botohej 2 herë në vit, duke sjellë prurjet më të mira të studimit dhe hulumtimit të pedagogëve të drejtësisë, bashkëpunëtorëve dhe studiuesve të rinj.

Ajo u bë një pasqyrë e rëndësishme e debatit shkencor juridik në vend, duke sjellë idetë më të reja të kohës për zhvillimin e shkencave të së drejtës dhe degëve të saj. Revista ka pasur një fokus të larmishëm për të tria fushat madhore, të drejtën Publike, Civile dhe Penale. Studime të thelluara që kanë sjellë njohuri të rëndësishme janë botuar nga studiues me përvojë dhe nga studiues të rinj. Analiza të rëndësishme u janë dedikuar të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Mjaft ide të dobishme ka pasur për zhvillimin e jurisprudencës shqiptare dhe përmirësimin e legjislacionit. Disa botime të penave të njohura në fushën e të drejtës kanë pasuruar fondin e studimeve të historisë të së drejtës, të traditave juridike të popullit shqiptar si dhe tendencat e reja të zhvillimit të së drejtës. Analiza e sistemit Kushtetues ka qenë një nga studimet më gjithëpërfshirëse. Në disa artikuj janë zhvilluar teoritë për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut, procesin e rregullt ligjor e rolin e precedentit gjyqësor në sistemin tonë juridik. Të gjitha botimet e saj së bashku, plotësonin kuadrin studimor, duke vendosur shkencën e të drejtës shqiptare në vendin e duhur të shkencës juridike në vendet demokratike dhe duke nxitur përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Në këtë aspekt një pasuri përbëjnë edhe punimet e studiuesve nga diaspora. Gjithashtu, mjaft të dobishme kanë qenë shkrimet e studiuesve të rinj, student të doktoratës, si dhe diplomantëve. Revista ka pasur edhe botime të posaçme midis të cilave spikasin botimet e referateve e kumtesave të konferencave shkencore të organizuara nga Universiteti i Tiranës.

Mjaft prej konkluzioneve shkencore të parashtruara në këto botime kanë shërbyer për reformat më të mëdha të kryera në vendin tonë për sistemin e drejtësisë. Kjo revistë ka realizuar edhe bashkëpunime me juristët dhe profesionistët e drejtësisë në vend, si dhe me bashkëpunëtorë të universiteteve të ndryshme jashtë vendit.

Përmes botimit të ri prej vitit 2023, revista “Studime Juridike” ka rifilluar sërish me disa objektiva ambicioze, duke përmbushur standardet e cilësisë së botimeve të periodikëve shkencorë sipas Rregullores “Për krijimin e Regjistrit shtetëror të revistave shkencore që botohen në Republikën e Shqipërisë”. Kështu do t’u shërbejë studiuesve, pedagogëve dhe studentëve për njohuri dhe analiza më të thelluara juridike, në përshtatje me zhvillimet e kohës.