Më datë 10.11.2025, në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës u zhvillua ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Dokumenti u firmos nga Prof. Dr. Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë UT, dhe Prof. Avni Puka, PhD, Dekan i Fakultetit Juridik UP, duke formalizuar kështu një partneritet strategjik të orientuar drejt forcimit të kapaciteteve akademike dhe kërkimore të të dy institucioneve.
Marrëveshja përcakton angazhimin e ndërsjellë për bashkëpunim në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave, seminareve dhe veprimtarive të tjera akademike, si dhe përgatitjen e botimeve të përbashkëta shkencore. Palët gjithashtu shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në harmonizimin e programeve të studimit dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta në fushën e edukimit juridik, përfshirë programe të avancuara dhe klinika ligjore. Në kuadër të zbatimit të Memorandumit, parashikohet bashkë-koordinimi institucional, përfshirë përgatitjen e aplikimeve të përbashkëta për grante dhe projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si Erasmus+, Horizon Europe dhe IPA.
Pas ceremonisë, përfaqësuesit e të dy fakulteteve zhvilluan një takim pune, ku diskutuan objektivat kryesorë, format e bashkëpunimit dhe prioritetet në zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike. Të dy palët vlerësuan rëndësinë e këtij partneriteti për avancimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e rolit të universiteteve në promovimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
