Më 15 dhjetor 2025 u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, pjesëmarrës në projektin “Sfidat e mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri”, i financuar nga Programi UT – Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion. Projekti u koordinua nga Prof. Asoc. Ersida Teliti me anëtarë Prof.Asoc. Renata Tokrri dhe Doktorante Herjeta Deliaj.

Më 15 dhjetor 2025 u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, pjesëmarrës në projektin “Sfidat e mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri”, i financuar nga Programi UT – Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion. Projekti u koordinua nga Prof. Asoc. Ersida Teliti me anëtarë Prof.Asoc. Renata Tokrri dhe Doktorante Herjeta Deliaj.

 

Qëllimi i projektit ishte fuqizimi i studentëve përmes trajnimeve dhe përfshirjes së tyre në trajtimin praktik të ankesave të konsumatorëve, me fokus mbrojtjen e interesave individuale dhe kolektive.

 

Në kuadër të projektit u realizua një trajnim tre ditor, i zhvilluar nga antarët e projektit, i cili trajtoi çështje të sigurisë së produkteve ushqimore dhe joushqimore, shërbimet, kontratat konsumatore, institucionet përgjegjëse dhe sfidat e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të integrimit.

 

Gjithashtu, u zhvilluan dy vizita studimore. Vizita e parë u realizua me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve, ku znj. Klotilda Neziri prezantoi zhvillimet në negociatat e anëtarësimit dhe sfidat kryesore në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, veçanërisht në tregtinë elektronike dhe mbikëqyrjen e produkteve. Vizita e dytë u zhvillua pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Z. Manush Kullolli, ku studentët u njohën me mekanizmat e kontrollit, sigurinë ushqimore dhe sfidat e Kapitullit 12.

 

Gjatë projektit u mblodhën dhe u trajtuan mbi 25 ankesa të konsumatorëve, të adresuara fizikisht dhe online. Studentët ofruan këshillim, ndihmuan në adresimin e ankesave pranë institucioneve përkatëse dhe, në raste të veçanta, bashkëpunuan me Qendrën “Konsumatori Shqiptar”. U realizua gjithashtu një pyetësor online, i cili tregoi se shumica e konsumatorëve nuk ankohen dhe nuk dinë ku të drejtohen, çka dëshmon për nivel të ulët të njohjes së të drejtave të tyre.

Përmes një qasjeje të integruar teorike dhe praktike, aktiviteteve në terren, bashkëpunimit me institucionet përkatëse dhe trajtimit të ankesave, projekti ka krijuar një model funksional dhe të qëndrueshëm ndërhyrjeje. Rezultatet e arritura dëshmojnë një ndikim pozitiv dhe të matshëm, duke vendosur baza të forta për vazhdimin e iniciativave të ngjashme në të ardhmen dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të mbrojtjes së konsumatorit.