Në kuadër të nismave të Bashkisë Sarandë për forcimin e transparencës institucionale, rritjen e integritetit publik dhë përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve publike dhe të angazhimit të Universitetit të Tiranës për ofrimin e shërbimeve për pushtetin vendor, u organizua njw takim me pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë dhe personelin e Bashkisë së qytetit të Sarandës, ku morrwn pjesw edhe Rektori i Universitetit të Tiranës Prof.Dr.Artan Hoxha si edhe Kryetari i Bashkisë Z.Olti Çaçi.
Gjatë këtij aktiviteti u bashkëbisedua për nevojën që ka pushteti vendor për t’u asistuar në çështjet e strategjive të zhvillimit, të organizimit dhe administrimit të territorit, kompetencave, konsolidimit të autonomisë së pushtetit lokal, lufta kundër korrupsionit, si edhe çështje të ndarjes së territorit.
Ndër të tjera Rektori i Universitetit të Tiranës diskutoi së bashku me Kryetarin e Bashkisë Sarandë Z.Olti Çaçi dhe pjesëmarrësve të tjerë lidhur me projektin që Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër dhe po zhvillon me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor lidhur me një studim tërësor të historive dhe zhvillimit të ndarjes territoriale të Shqipërisë që nga viti 1920 e deri më sot, kompetencat e pushtetit vendor, legjislacionin e zbatuar në Shqipëri në të gjithë këto vite, si edhe harmonizimin dhe krijimin e akteve të unifikuara që nxjerr pushteti lokal sipas legjislacionit aktual në fuqi, në mënyrë që t`ju vijë në ndihmë dhe njësive vendore të vogla, që kanë mangësi në burimet njerëzore.
Në këtë projekt që është në vazhdim, Fakulteti i Drejtësisë po luan një rol të veçantë me angazhimin e disa pedagogëve, punë që u vlerësua lartë nga Kryetari i Bashkisë Sarandë Z.Olti Çaçi me të cilin u shkëmbyen mendimet në interes të çështjeve në të cilat përballet pushteti vendor dhe mënyrës dhe formës se si pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë mund të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre akademik.
Gjithashtu Rektori i Universitetit të Tiranës Prof.Dr.Artan Hoxha dhe pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë zhvilluan një vizitë në Filialin e Universitetit të Tiranës në Sarandë, ku Rektori Prof.Dr.Artan Hoxha bashkëbisedoi me pedagogët dhe Drejtorin e Filialit të UT Sarandë Z.Dhonat Kote për perspektivat dhe sfidat e Filialit, si një strukturë akademike e Universitetit të Tiranës me perspektivën zhvillimin e mëtejshëm në programe ndër – disiplinore.
U shkëmbyen mendime mes pedagogëve dhe opinioni i përbashkët për perspektivat e këtij Filiali nëpërmjet një bashkëpunimi më të plotë të strukturave të Universitetit të Tiranës, përfshirë dhe Fakultetin e Drejtësisë, për ta transformuar Filialin në një instrument të rëndësishëm akademik në të gjithë zonën e rajonit jugor të Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Sarandë Z.Olti Çaçi, e vlerësoi me interes të lartë për pushtetin vendor veprimtarinë e Filialit dhe mbështeti nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të tij si një faktor i rëndësishëm i edukimit dhe mbështetjes që Arsimi i Lartë mund të japë në sfidat dhe zhvillimin e Bashkisë Sarandë e më gjerë.











