Babai i Kodit Penal, Korifeu i Drejtësisë, Profesor Doktor Ismet Elezi, festoi 105 vjetorin e lindjes, në një pritje ceremoniale të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, nën moderimin e Z. Fatmir Laçej, Jurist dhe Nënkryetar i Dhomës së Noterëve Tiranë.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta nga fusha të ndryshme të jetës politike, juridike, gjyqësore, akademike, kulturore e më gjerë.
Kthimi i Prof. Elezit në auditoret e Fakultetit të Drejtësisë, nga ku ka nisur rrugëtimin e tij profesional, ishte një emocion i veçantë për të gjithë të pranishmit.
Prof. Dr. Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, në themelimin e së drejtës, standardin e mësimdhënies, aftësitë udhëheqëse dhe integritetin profesional të shfaqur përgjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Si një prej ikonave që i ka shërbyer së drejtës për katër dekada me rradhë, Prof.Elezi u shpreh se çelësin e tij të suksesit ia dedikon tri parimeve që e kanë udhëhequr përgjatë jetës së tij profesionale: Ndershmëria, Besa dhe Mikëpritja.
Ceremonia u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T, Z. Bajram Begaj, i cili u shpreh se Profesor Elezi, ka një jetë dhe një karrierë të realizuar dhe përbën një figurë mbreslënëse të shkencës juridike, një edukator të përkushtuar, një ERUDIT.
Ministri i Drejtësisë, Z. Ulsi Manja, njëherazi dhe ish student i Prof. Elezit, vlerësoi rolin e tij në formësimin e sistemit të drejtësisë në vend dhe çmoi vlerat e tij njerëzore dhe personalitetin e lartë.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, e vlerëson Prof. Elezin si një personalitet të përmasave madhore dhe një pikë referimi për të gjithë brezat e përfshirë në kërkime, aplikime e studime të fushës së të drejtës penale.
Kontributi dhe vlerësimi i punës së tij të çmuar e të palodhur u lartësua dhe nga Profesorë të së drejtës, kolegë dhe miq të tij si Z. Njazi Jaho, Prof. Dr. Skënder Kaçupi, Prof. Dr. Aurela Anastasi, përfaqësues së Shoqatës së Veteranëve, Shoqata Fterra, Shoqata Labëria etj., të cilët dhanë vlerësime, ndanë kujtime e shprehën mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e tij.
Mbi 82 vite eksperiencë, dhe mbi 280 botime shkencore, Prof.Ismet Elezi ka lënë gjurmë në fushën e së drejtës penale dhe zakonore shqiptare.
Është nder dhe privilegj për Fakultetin e Drejtësisë, të ketë në ekzistencën e tij një nga figurat më të shquara të së drejtës dhe jurisprudencës shqiptare, Prof. Dr. Ismet Elezi.
