Në datën 09.05.2025, në auditoret e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Kontrolli i
Lartë i Shtetit, zhvilloi një leksion të hapur, në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për
kremtimin e 100-vjetorit të krijimit të këtij institucioni të rëndësishëm kushtetues.
Prof.Dr.Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, përgëzoi Kontrollin e Lartë të
Shtetit për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe shprehu vlerësimin e saj për rolin e institucionit
ndër vite dhe kontributin në edukimin profesional të studentëve.
Zj.Miranda Mesini, Audituese e Lartë pranë KLSH, theksoi se ky përvjetor është një moment
historik, që shënon një shekull përkushtim ndaj transparencës, përgjegjshmërisë dhe forcimit
të shtetit të së drejtës. Përmes leksionit të hapur, Zj.Mesini prezantoi evoluimin historik dhe
sfidat me të cilat përballet sot auditimi i jashtëm.
Takimi mes përfaqësuesve të të dy institucioneve, vuri në pah rëndësinë e kontrollit të
jashtëm të financave publike, si një shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë, transparencës si
dhe vlerësoi rolin e Fakultetit të Drejtësisë, në diplomimin e juristëve të ardhshëm që do të
kontribuojnë në cilësinë e auditimeve të prodhuara nga ky institucion.
