Forumi “Kujtesa historike dhe qëndresa njerëzore në periudhën e komunizmit”
Në kuadër të projektit kërkimor “Drejtësia Tranzitore: Sfidat dhe roli i juristëve në ndërtimin e kohezionit social dhe shtetit të së drejtës”, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, organizoi forumin me temë “Kujtesa historike dhe qëndresa njerëzore në periudhën e komunizmit”.
Ky aktivitet synoi të nxisë reflektimin shoqëror e akademik mbi rëndësinë e njohjes dhe përballjes me të kaluarën historike. Forumi u konceptua si një hapësirë dialogu ndërmjet brezit të rinj të juristëve dhe personaliteteve të njohura të jetës publike, për të ndërtuar ura mes kujtesës historike dhe drejtësisë bashkëkohore.
Në fjalën e hapjes, Prof.Asoc.Dr. Enkeleda Olldashi, drejtuese e projektit, shprehu falenderime për pjesmarrësit si dhe theksoi rolin e brezit të ri e të dijes juridike në forcimin e autoritetit të ligjit dhe të drejtësisë tranzitore.
I ftuar special i forumit ishte Z. Fatos Lubonja, autor i librit “Ridënimi”, i cili ndau me studentët dhe stafin akademik një reflektim të thellë mbi përvojat e së shkuarës dhe mendime mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës historike si një mjet për të kuptuar dhe parandaluar përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Kujtesa sipas Z.Lubonja, duhet të shërbejë si një instrument aktiv për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë e humane.
Ky forum u përshëndet dhe nga Zv.Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof.Asoc.Dr. Erjon Muharremaj, i cili shprehu vlerësime ndaj të ftuarit për kontributin që jep si një intelektual e për qëndrimin e tij kritik ndaj faktorëvë që pengojnë mirëqeverisjen.
Forumi u shndërrua në një hapësirë të gjallë diskutimi mes të ftuarit, profesorëve, dhe studentëve, duke nxitur reflektim, vetëdije dhe përgjegjësi qytetare ndaj historisë dhe së ardhmes.
