Fakulteti i Drejtësisë në Konferencën për Rezolutat 1325 & 2242 të OKB-së
Më 29 tetor 2025, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dorina Hoxha, mori pjesë në konferencën me temë “Recalling UNSCR 1325 & 2242:“Women, Youth and Local Security Councils as Key Actors in Shaping Community Safety and Preventing Violent Extremism“, zhvilluar në Hotel Tirana International.
Aktiviteti u organizua nga Woman Center for Development and Culture Albania (WCDCA), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) dhe ICAN, duke bashkuar aktorë institucionale, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në një diskutim të rëndësishëm për rolin e grave dhe të rinjve në forcimin e sigurisë komunitare.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Prof. Hoxha theksoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe, dhe pa përfshirje nuk mund të ketë qendrueshmëri. Ajo vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të Rezolutave 1325 dhe 2242 të OKB-së, të cilat theksojnë domosdoshmërinë e pjesëmarrjes aktive të grave në proceset e vendimmarrjes dhe në mekanizmat e sigurisë. Po ashtu, nënvizoi se Fakulteti i Drejtësisë e sheh edukimin dhe kërkimin shkencor si ura që lidhin politikëbërjen me praktikën komunitare, duke e kthyer arsimin juridik në një instrument të fuqizimit qytetar dhe institucional.
Ajo prezantoi githashtu përfshirjen e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në punime kërkimore dhe analiza mbi dimensionet ligjore e sociale të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe kontributin e tyre në ndërtimin e një kulture të re përgjegjësie qytetare.
Në mbyllje, Prof. Hoxha shprehu angazhimin e Fakultetit për të vijuar bashkëpunimin me organizatat partnere në krijimin e platformave të përbashkëta kërkimore, trajnimeve për studentë dhe forumeve akademike që promovojnë drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor në shoqërinë shqiptare.


