Konferenca Kombëtare Shkencore “Zhvillime dhe risi në të drejtën private me fokus në mekanzimat privatë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”

Departamenti i së Drejtës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës organizoi me datë 03.10.2025, Konferencën Kombëtare Shkencore “Zhvillime dhe risi në të drejtën private me fokus në mekanzimat privatë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”. Kjo konferencë bëri bashkë profesorë, gjyqtarë, avokatë, juristë, e studentë, të cilët prezantuan punimet e tyre dhe shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet dhe problematikat ligjore që ekzistojnë aktualisht në fushën e së drejtës private dhe mekanizmave alternativë të mosmarrëveshjeve duke realizuar kështu qëllimin e saj, sigurimin e një platforme dialogu dhe shkëmbimi idesh midis akademikëve, praktikuesve, dhe studentëve me përvoja të ndryshme.

Konferenca i çeli punimet me fjalën përshëndetëse të Drejtueses së Bordit Shkencor dhe Organizativ të konferencës, Prof. Asoc. Dr. Flutura Kola Tafaj, e cila falenderoi drejtuesit e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Departamentit të së Drejtës Civile për mbështetjen e ofruar për organizimin e konferencës, si dhe pjesëmarrësit për interesin e shprehur dhe kontributin e tyre, duke theksuar më tej rëndësinë e temës së konferencës në kuadër të zhvillimeve të fundit ligjore mbi mekanzimat alternativë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në përgjithësi dhe arbitrazhin në veçanti.

Kjo konferencë u përshëndet nga Prof. Asoc. Dr. Erjon Muharremaj, Zv/Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, i cili vlerësoi organizimin e kësaj konference, për rëndësinë që ajo ka, referuar fushës që mbulon dhe vuri theksin tek kontributi i Fakultetit të Drejtësisë në zhvillimin e së drejtës përmes produkteve të kërkimit shkencor.

Drejtuesja e Departamentit të së Drejtës Civile Prof. Dr. Kestrin Katro, gjithashtu, falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla në përforcimin e rolit të Fakultetit të Drejtësisë, UT si një kontribues lider në promovimin e kërkimit shkencor.

Paneli hyrës u përmbyll me prezantimin e përfaqësueses së Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, pranë Ministrisë së Drejtësisë mbi kuadrin e ri ligjor mbi arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë, gjatë të cilit doli në pah dhe kontributi i rëndësishëm i Ministrisë së Drejtësisë në miratimin e këtij ligji të ri pas disa vitesh vakumi ligjor në këtë fushë.

Konferenca i vijoi punimet e saj në tre panele ku rreth 25 profesorë, doktorantë, kërkues shkencorë, gjyqtarë, avokatë, juristë dhe studentë, prezantuan punimet e tyre dhe diskutuan mbi çështje që varionin nga aspekte të veçanta të procedurave të arbitrazhit dhe përdorimi i tij për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të fushave të ndryshme, si sporti, sigurimet, kontratat e ndërtimit, pronësia industriale, konkurenca, e drejta e punës, deri tek ndërmjetësimi dhe impakti i teknologjisë në mekanizmat alternativë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, përfshirë dhe disa tema të tjera të së drejtës private.

Ky aktivitet do të përmbyllet me botimin e punimeve të konferencës, si një dokumentim i punëve të përgatitura, i cili do të shpërndahet jo vetëm tek pjesëmarrësit, por do të jetë i aksesueshëm për çdo subjekt të interesuar.