Në kuadër të projektit “Drejtësia Tranzitore: Sfidat dhe Roli i Juristëve në Ndërtimin e Kohezionit Social dhe Shtetit të së Drejtës”, që po zbatohet pranë Departamentit të së Drejtës Publike, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në datë 12 qershor u mbajt forumi i dytë i diskutimit.
Nën drejtimin e Prof. Asoc. Dr. Enkeleda Olldashi, grupi i punës Prof. Dr. Evis Alimehmeti dhe Doc. Klesta Hysi prezantuan gjetjet e një pyetësori me studentë me temën “Ndërgjegjësimi për të kaluarën komuniste dhe drejtësia tranzitore”.
Nën moderimin e Prof. Dr. Evis Alimehmeti ky forum bëri bashkë në tryezë pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë, SH. T. Z Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Znj.Gentiana Sula, Drejtuese e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), përfaqësues të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit, studentë, magjistratë, juristë të interesuar në këtë fushë etj.
Prof. Alimehmeti theksoi se trajtimi i drejtësisë tranzitore me studentët e drejtësisë nuk lidhet vetëm me informimin mbi të kaluarën, por përbën një komponent të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale.
Vënia në zbatim e këtij projekti u falenderua nga Zëvendës Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Erjon Muharremaj. Në një kohë ku paqja dhe harmonia sociale është në ditë të vështira, realizimi i të tilla projekteve, në vlerësimin e Prof. Muharremaj, jep një kontribut të rëndësishëm.
Ambasadori Michel Tarran shprehu kënaqësinë teksa sheh juristët dhe brezin e rinj të studentëve të angazhuar në trajtimin e drejtësisë tranzitore. Vetë OSBE ka qenë e përkushtuar në këtë drejtim, si dhe ka zbatuar iniciativa të ndryshme për të hedhur dritë mbi krimet e ndodhura në periudhën e tranzicionit.
Znj.Gentiana Sula bëri një një prezantim të punës dhe rolit të AIDSSH-së, si dhe përcolli dëshirën e autoritetit për forcimin e bashkëpunimit me Fakultetin e Drejtësisë, përmes kontributit që mund të japin juristët në hulumtimin në dokumentet pranë autoritetit, analizat ligjore, marrjen pjesë në gjyqe imituese, këshillimin ligjor për ish të përndjekurit e regjimit komunist etj.
Prof. Asoc. Dr Enkeleda Olldashi, u ndal në prezantimin e pyetësorit, qëllimin e tij, metodologjinë dhe strukturën, si dhe gjetjet kryesore. Prof. Olldashi theksoi se ky pyetësor i paraprin aktiviteteve të tjera të projektit dhe shërben për të evidentuar perceptimin e studentëve mbi drejtëzinë tranzitore.
Interpretimi i rezultateve të pyetësorit u shoqërua me diskutime midis të ftuarve, si dhe do t’i shërbejë grupit të punës për rekomandime institucionale dhe i paraprin akriviteteve të tjera të projektit që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm.
