Revista Juridike Shqiptare ka hapur thirrje për artikuj juridik
Revista Juridike Shqiptare (ALJ) në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE” mbështetur nga Bashkimi Evropian., ka hapur thirrjen për artikuj juridikë.
Revista Juridike Shqiptare me ISSN shqip – 2523-1774 dhe ISSN anglisht – 2523-1766, është krijuar në 2017 vetëm në formatin online, e cila synon që nëpërmjet artikujve analitikë ligjorë dhe temave që mbulon të zhvillojë doktrinën ligjore në Shqipëri duke ofruar analizë të detajuar mbi kuadrin ligjor dhe institucional shqiptar, duke identifikuar mangësitë dhe duke ofruar hapësirë për debat ligjor mbi këto çështje.
Temat për këtë thirrje janë të lidhura me fushat që përfshihen në Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria, Siguria) në kuadër të procesit të negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe zhvillimet e fundit të ndodhura në BE. Këto tematika janë sugjeruese dhe jo ezauruese:
Ligji për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës cannabis për qëllime mjekësore dhe industriale – praktikat europiane dhe risqet në kuadër të luftës kundër drogave
E drejta e pronës në Shqipëri si kriter i ndërmjetëm për Kapitullin 23 – nevoja për arritjen e progresit në menaxhimin e integruar të pronës dhe dixhitalizimit të shërbimit
Masat e sigurimit në procesin penal – proporcionaliteti mes natyrës së veprës penale dhe nevojës për paraburgim sipas standardeve europiane
Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale – afrimi me GDPR, dhe risitë që sjell, si e drejta për tu harruar
Ulja e backlogut në sistemin gjyqësor shqiptar – domosdoshmëri për progresin e Reformës në Drejtësi dhe masë prioritare në dokumentet strategjike shqiptare
Zhvillimet e reja në politikën e migracionit të BE – rregullat e reja për kthimin nën optikën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut
Thirrja është e hapur për të gjithë hulumtuesit e ekspertët në çështjet e integrimit, përfaqësues të shoqërisë civile apo të administratës publike, akademikë.
Vëmendje të veçantë do u jepet dhe profesionistëve të rinj të cilët do të dërgojnë propozime cilësore.
Për të kontribuar me artikuj në Revistën Juridike Shqiptare dërgoni brenda datës 14 prill 2024 në adresën [email protected]:
Abstrakt (200 – 500 fjalë) në gjuhën shqipe ose angleze, ku të specifikohet qartë tema dhe objektivi(at) e synuar të artikullit, kuadri teorik, si dhe çështjet që do të trajtohen (skema e artikullit).
CV e autorit(es) apo bashkëautorëve së bashku me një bio të shkurtër përshkruese
Një publikim i mëparshëm do të konsiderohet vlerë e shtuar për vlerësimin e aplikimit
Kjo thirrje është e hapur vetëm për autorët që nuk janë përfshirë në thirrjet e mëparshme për artikuj në Revistën Juridike Shqiptare
Për të gjitha publikimet që do të përzgjidhen dhe do të botohen do të ofrohet një shpërblim monetar për autorët.
Mirëpresim propozimet tuaja dhe ju ftojmë ta ndani këtë thirrje dhe me rrjetin tuaj të miqve dhe kolegëve,
Më shumë informacion mund të gjeni në faqen zyrtare të ALJ: https://www.lawjournal.al/?q=sq
Skuadra e EMA-s
Bashkelidhur edhe materiali:ALJ -Thirrja 3 per Artikuj