UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, dhe Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, kanë nënshkruar një marrëveshje kuadër me qëllim forcimin e ndihmës juridike dhe aksesit në të drejta për azilkërkuesit dhe refugjatët në Shqipëri.
“Akademia luan një rol kyç në forcimin e mbrojtjes për refugjatët dhe azilkërkuesit në Shqipëri. Përmes këtij partneriteti, ne do të zgjerojmë klinikën juridike të universitetit, ku profesionistët e ardhshëm të drejtësisë – të pajisur me trajnim të specializuar në mbrojtjen e refugjatëve – do të ofrojnë ndihmë juridike falas për ata që kanë nevojë. Kjo do të ndihmojë që refugjatët dhe azilkërkuesit të marrin udhëzimet e nevojshme për të kuptuar të drejtat e tyre dhe për të naviguar në proceset ligjore në mënyrë efektive,” tha Toshitsuki Kawauchi, Përfaqësues i UNHCR-së në Shqipëri.
“Ky partneritet me UNHCR është një hap i rëndësishëm në forcimin e edukimit juridik në universitetin tonë. Duke zgjeruar klinikën juridike, ne po u ofrojmë studentëve trajnim praktik në mbrojtjen e refugjatëve, ndërsa sigurojmë që azilkërkuesit dhe refugjatët të marrin mbështetjen juridike që u nevojitet. Ky bashkëpunim forcon angazhimin tonë për mbrojtjen ligjore dhe të drejtat e njeriut, duke përgatitur profesionistët e ardhshëm të drejtësisë për të bërë një ndikim domethënës në komunitetet e tyre,” tha Prof. Dr. Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë.
Kjo nismë mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit Mbështetja Rajonale e BE-së për Sistemet e Menaxhimit të Migracionit të Ndjeshëm ndaj Mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor.
