Ne datën 11 dhjetor, u mbajt një leksion i hapur mbi procesin e integrimit evropian në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës me temë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ne datën 11 dhjetor, u mbajt një leksion i hapur mbi procesin e integrimit evropian në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës me temë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë,

Leksioni u mbajt nga Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, znj. Majlinda Dhuka. Aktiviteti u organizua në prani të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, dhe mblodhi studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë.

Gjatë fjalës së hapjes, Rektori Prof. Dr. Artan Hoxha vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe institucioneve shtetërore, duke theksuar rolin kyç të Universitetit të Tiranës në përgatitjen e brezit të ri të juristëve dhe ekspertëve që do të kontribuojnë në procesin e integrimit evropian të vendit.

Në leksionin e saj, Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka prezantoi në mënyrë të detajuar kuadrin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, metodologjinë e re të zgjerimit dhe organizimin e kapitujve negociues. Ajo u ndal veçanërisht te rëndësia e shtetit të së drejtës, reforma në drejtësi, si dhe te procesi i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire, duke nënvizuar se integrimi evropian është një proces i thellë transformues juridik dhe institucional.

Një pjesë e rëndësishme e leksionit iu kushtua kapitujve që lidhen me drejtësinë, të drejtat themelore dhe sigurinë, si dhe sfidave praktike të zbatimit të standardeve evropiane në sistemin juridik shqiptar. Kryenegociatorja theksoi gjithashtu nevojën për ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe përfshirjen aktive të juristëve të rinj në këtë proces.

Aktiviteti u zhvillua në formë interaktive, me diskutime dhe pyetje nga studentët dhe pedagogët, të cilët shprehën interes të veçantë mbi rolin e arsimit juridik dhe të Fakultetit të Drejtësisë në mbështetje të procesit të integrimit evropian.

Leksioni u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm akademik dhe institucional, duke forcuar dialogun mes Universitetit të Tiranës dhe institucioneve shtetërore, si dhe duke rritur ndërgjegjësimin e komunitetit akademik mbi rëndësinë e integrimit evropian si një proces gjithëpërfshirës dhe afatgjatë për shoqërinë shqiptare.