Ne Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me mbeshtetjen e Prezences se OSBE-së në Shqipëri u organizua më datë 31 Tetor 2022, trajnimin me temë: “Aksesi në Gjykatën Kushtetuese dhe hartimi i ankimit kushtetues individual”.

Fillimisht Profesor Erind Mërkuri, Lektor i lëndës së të Drejtës Kushtetuese, duke njohur rëndësinë e të drejtës kushtetuese dhe vetë ankimit kushtetues, falenderoi OSBE-në për ofrimin e këtij trajnimi profesional me studentë të Fakultetit të Drejtësisë.

Z.Cailean Maclean, Shef i Departamentit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut pranë OSBE, njoftoi ndër të tjera shpalljen në nivel kombëtar të konkursit për hartimin e ankesave kushtetuese individuale. Z.Maclean bëri të ditur se konkursi do të jetë në interes të të gjithë studentëve, dhe se aplikimet e tyre do të gjykohen nga një panel i përbërë nga juristë, stafi ligjor i Prezencës së OSBE-së dhe gjyqtarë e ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Z.Tahir Lamçe, Asistent Ligjor në Departamentin Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut, falenderoi të gjithë studentët pjesmarrës, Fakultetin e Drejtësisë dhe Shoqatën Elsa Albania, që bënë të mundur organizimin dhe pjesmarrjes e një numri të lartë studentësh që do të përfitojnë nga ky trajnim.

Trajnimi u realizua nga Av.Dorian Matlija, avokat i njohur dhe ekspert në fushën e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se ndryshimet në Kushtetutë në vitin 2016 ishin të rëndësishme në evoluimin e së drejtës, pasi ankimi kushtetues u bë një mjet efektiv në duart e çdo personi.

Trajnimi pati ndërthurje të informacionit teorik mbi aksesin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, rasteve kur mund t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese, me këshillat praktike për mënyrën e hartimit të një ankimi kushtetues, elementët që duhet të përmbajë, si mund të jetë ankimi i suksesshëm etj.

Trajnimi pati një pjesmarrje të lartë të studentëve, të cilët jo vetëm u informuan mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ankimin kushtetues, por fituan dhe disa njohuri te rëndësishme për mënyrën sesi ato mund të jenë juristë të ardhshëm të suksesshëm në hartimin e akteve.

Leave A Comment