Në këtë vit të ri akademik së bashku do të fillojmë një udhëtim të gjatë, të mbushur me sfida dhe mundësi të reja. Të jesh student është një mundësi jo vetëm për t’u formuar profesionalisht por dhe për të realizuar ëndërrat, për t`u përmirësuar dhe formuar në mënyrën më të mirë.

Për të gjithë studentët e vitit të parë dhe të transferuar, ju faleminderit që u bashkuat me ne dhe jeni bërë pjesë e rrugëtimit të këtij fakulteti. Ju keni bërë zgjedhjen më të mirë! Për studentët e rikthyer, faleminderit që vazhduat të ndiqni studimet tuaja me ne!
Si një nga Fakultetet e Drejtësisë më të rëndësishëm në vend, ne jemi këtu për t’ju ndihmuar të përgatiteni për karrierën tuaj, t’ju prezantojmë me ide dhe t’ju formojmë për të udhëhequr sistemin e drejtësisë.
Këtë vit festojmë 65 vjetorin e themelimit të Universitetit të Tiranës si Universiteti i parë në Republikën e Shqipërisë, i cili qëndron në krye të arsimit të lartë në vend. Bazuar në traditën dhe historinë e fakultetit, ne kemi përgatitur ndër vite studiues të shquar të së drejtës, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, juristë profesionistë të aftë për të përmbushur sfidat e aktuale të sistemit të drejtësisë.
Fakulteti i Drejtësisë ofron shumëllojshmëri të programeve universitare dhe pasuniversitare, që pasqyrojnë ndër praktikat dhe zhvillimet më bashkëkohore në fushën ligjore, për të siguruar që studentët tanë të jenë të përgatitur në mënyrë të duhur, për të përballuar tregun e punës.
Tashmë janë hapur mundësi të reja që studentët të marrin eksperiencë dhe në fakultetet e tjera të mirënjohura jashtë vendit, në kuadër të programit Erasmus +, apo dhe në zbatim të marrëvëshjeve që kemi lidhur me institucione ndërkombëtare për të trajnime apo shkolla verore.
Këtë vit ju do të jeni pjesë e Konferencës Shkencore Studentore, ku do të na jepet mundësia të identifikojmë kush janë kërkuesit e rinj shkencorë dhe bashkëpunëtorët tanë të së ardhmes. Fakulteti pret me padurim një marrëdhënie të frytshme me ju.
Jemi me fat që në fakultetin tonë kemi profesorë të nderuar dhe profesionistë. Ndaj jam e bindur që pas shume sfidave që ka pësuar proçesi i mësimdhënies, tashmë ai do të ofrohet më cilësor se asnjëherë më parë. Mbështetja ime do të jetë e pakursyer dhe ndaj kërkoj bashkëpunim nga kolegët e mi për të realizuar misionin që Fakulteti i Drejtësisë ka. Ne jemi një fakultet që i përket të gjithëve dhe do të punojmë fort për të realizuar sfidat e reja të arsimit të lartë.
Në cilësinë e Dekanit të fakultetit ju garantoj që dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për të trajtuar problematikat tuaja apo mirëpritur çdo iniciativë të re.
Me zemër ju uroj shumë suksese dhe një vit sa më të mbarë akademik! Jam besimplotë se me vullnet do të realizojmë misionin dhe detyrat së bashku.

Faleminderit që u bëtë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët!

Dekan
Prof.Asoc. Dorina Hoxha

Leave A Comment