Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë,
Së pari, dua t’ju shpreh mirënjohjen dhe respektin tim maksimal për gjithë punën dhe përkushtimin tuaj!
Nesër nis viti i ri akademik 2024-2025 dhe dua të uroj nga zemra të gjithë studentët, pedagogët dhe këdo që është pjesë e strukturës të Fakultetit të Drejtësisë, UT.
Për të gjithë studentët që fillojnë rrugëtimin e tyre universitar dhe nisin studimet në vitin e parë, ju falenderoj që zgjedhja juaj është Fakulteti i Drejtësisë, UT si dhe ju inkurajoj të merrni sa më shumë të mundeni nga studimet e larta. Dija ju bën të artë!
Të gjithë studentëve të FDUT-së, i uroj suksese në këtë vit të ri studimesh! Përvoja juaj akademike bëhet vit pas viti më dinamike dhe ju afron më shumë me momentin e daljes suaj në profesion. Shfrytëzojeni Fakultetin maksimalisht, për formimin tuaj akademik, rrjetëzimin profesional me kolegë e bashkëpunëtorë dhe thellimin e njohurive tuaja për drejtësinë.
Sfida jonë e përbashkët e këtij fillimviti është krijimi i disa prej grupeve të vitit të parë të Programit të Integruar të Ciklit të Dytë “Master i Shkencave në Drejtësi” të mund të zhvillojnë cikle leksionesh në gjuhën angleze si gjuhë zyrtare e zhvillimit të programit mësimor. Kjo do jetë një vlerë e shtuar për të gjithë ata që do të zgjedhin të ndjekin këto cikle leksionesh, pasi në diplomën e tyre do të shënohet që gjuha zyrtare e zhvillimit të programit është gjuha angleze, duke idhënë më shumë mundësi përdorimit dhe ekuivalentimit të diplomës ndërkombëtarisht.
Shumë suksese të gjithë kolegëve të mi lektorë, për një tjetër vit intensiv mësimdhënieje! Profesioni ynë na lejon të formësojmë brezat e profesionistëve të ardhshëm të drejtësisë, përgjegjësi, por edhe kënaqësi e madhe. Uroj t’e pasuroni sa më tepër përvojat dhe arritjet tuaja profesionale!
Si përherë, dera e Dekanatit është dhe do të jetë e hapur, për të gjithë, me qëllim për t’iu gjendur pranë studentëve dhe stafit akademik, për të përmirësuar dhe lartësuar standardin e përvojës akademike dhe studimeve në drejtësi.
Me respekt,
Prof. Dr. Dorina Hoxha