Tryezë e rrumbullakët, në kuadër të projektit “Sfidat e integrimit evropian dhe konkurencës së lirë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Më datë 4 dhjetor 2024, në kuadër të projektit të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me temë “Sfidat e integrimit evropian dhe konkurrencës së lirë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” i financuar nga programi “UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion,” u zhvillua një tryezë e rrumbullakët e organizuar në tre panele. Aktiviteti u drejtua nga Prof. Iva Zajmi dhe u realizua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Autoriteti i Konkurrencës, akademia, dhe përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

 

Znj. Mimoza Kodhelaj, Drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Tregjeve në Autoritetin e Konkurrencës, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në mbështetje të misionit të Autoritetit të Konkurrencës për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Ajo nënvizoi rolin e rregullave të sjelljes për ndërmarrjet, përgjegjësitë e institucioneve përkatëse dhe sfidat në hetimin e rasteve të sjelljeve antikonkurruese.

 

Në vijim, në panelin e dytë të diskutimit, studentet Alesja Vrenozi, Anxhela Xhaka dhe Danilea Ndoj prezantuan, në emër të të gjithë studentëve pjesëmarrës  në projekt, punën e tyre kërkimore në të cilën kishin trajtuar vendimmarrjet e Autoritetit të Konkurrncës mbi abuzimin me pozitën dominuese, kontrollin e përqendrimeve dhe marrëveshjet e ndaluara. Puna kërkimore u bazua në një qasje analitike dhe krahasuese të vendimmarrjeve të Autoritetit të Konkurrencës duke ofruar edhe rekomandime për përmirësimin e aspekteve formale dhe përmbajtësore të këtyre vendimmarrjeve.

 

Në panelin e tretë, diskutimet e mëtejshme përfshinë perspektiva nga profesionistë të fushës, si Znj. Ardita Seknaj nga ICC Albania (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, Shqipëri), Znj. Albana Karapanço nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Z. Gentjan Skara nga Universiteti Epoka. Panelistët ndanë përvojat dhe qasjet e tyre mbi sfidat e konkurrencës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke u fokusuar në rolin e institucioneve dhe organizatave që përfaqësojnë.

 

Takimi u mbyll nga Dr. Fjoralba Caka, e cila, në emër të ekipit të projektit, falënderoi studentët për angazhimin dhe interesin e treguar, si dhe të ftuarit nga institucionet përkatëse për kontributin e tyre të vlefshëm. Ajo vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për promovimin dhe garantimin e konkurrencës së lirë, veçanërisht në kuadër të proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian.