“Transparenca dhe e Drejta e Informimit në Institucionet e BE-së”, në kuadër të projektit “E drejta e informimit në Shqipëri”

Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilluan më datë 23.03.2023, një sesion të hapur informues me temë “Transparenca dhe e Drejta e Informimit në Institucionet e BE-së”, në kuadër të projektit “E drejta e informimit në Shqipëri”. Ky projekt mbështetet nga Programi READ Albania, AADF, dhe synon të përforcojë urat e bashkëpunimit mes akademikëve dhe kërkuesve vendas dhe atyre të diasporës shqiptare.

 

Takimi u përshëndet nga Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, drejtuese e këtij projekti, e cila theksoi se e drejta e informimit përbën një nga të drejtat themelore të njeriut, si dhe është një shtyllë e rëndësishme në forcimin e shtetit të së drejtës. Përtej vlerës juridike, kjo e drejtë shërben si garanci për respektimin e të drejtave të njeriut në tërësi, përmes krijimit të një sistemi të hapur dhe transparent në veprimtarinë e institucioneve publike.

 

Përfaqësuesja e ASPA-s, Zj.Adela Kula, falenderoi stafin e përfshirë në këtë projekt për nismën e ndërmarrë si dhe theksoi së përmes këtyre sesioneve informuese adresohen shumë elemente të së drejtës së informimit dhe mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të saj nga ana e administratës publike.

 

Sesioni informues u zhvillua nga Dr.Darinka Piqani, pedagoge në Universitetin e Leidenit, Hollandë, në cilësinë e akademikes dhe ekspertes kërkimore të diasporës, me lehtësimin e doktorant Andrea Mazelliu, bashkēpunëtor shkencor në projekt.

 

Sesioni u përqëndrua në tre tema kryesore: Kuptimi dhe rëndësia e transparencës nën këndvështrimin e së drejtës evropiane; Zhvillimi i parimit të transparencës në Bashkimin Evropian; Transparenca dhe e drejta e informimit në interpretimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë nëpunës civilë të institucioneve të ndryshme publike, si Ministria e Drejtësisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave, të cilët objektin e punës e kanë të lidhur me të drejtën e informimit.

 

Materialet e sesionit informues u vunë në dispozicion të pjesëmarrësve në format të printuar si dhe në rrugë elektronike.