(Përgjegjëse e Departamentit Civil)
Prof. Dr. Nada Dollani (Përgjegjëse e Departamentit Civil) përfundoi studimet universitare dhe doktorale pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ajo ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor që prej vitit 2001, pranë departamentit të së drejtës civile, FDUT. Pas mbrojtjes së doktoratës në fushën e së drejtës së pronësisë në vitin 2009, ajo ka vazhduar hulumtimin shkencor në fushën e së drejtës private pranë qendrave shkencore, si Instituti Max Planck për të Drejtën e Krahasuar dhe Ndërkombëtare Private në Hamburg, Universiteti i Bolonjës, Europa-Kolleg Hamburg etj., me mbështetjen e programeve kërkimore të organizuara nga Shoqëria Max Planck, DAAD dhe Erasmus Mundus. Prof. Dollani ka qenë anëtare aktive e Forumit të së Drejtës Civile për Europën Juglindore të ngritur dhe mbështetur nga GIZ, i cili ka botuar një sërë vëllimesh të rëndësishme të punimeve shkencore në fushën e së drejtës civile gjatë viteve 2009-2014. Ajo ka qenë promotore e bashkëpunimit të departamentit të së drejtës civile me një varg institucionesh dhe organizatash të huaja ku nga më kryesoret dallohen: Instituti Max-Planck, Hamburg; Deutsche Gesellschaft für Internacionale Zusammenarbeit (GIZ); Deutscher Akademischer Austauschdienst (DAAD); Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) etj. Aktualisht Prof. Dollani është e angazhuar në disa projekte në kuadër të “Justice Program” 2014-2020, të Bashkimit Europian, ku ka dhënë kontribut për përfshirjen e UT-së si partner përkrah universiteteve më të mira europiane. Fushat e saj të studimit përfshijnë të drejtën civile të krahasuar, të drejtën private europiane, si edhe kontratat konsumatore.
Prof. Dollani ka qenë dhe është anëtare e bordeve, komisioneve, forumeve dhe organizatave të ndryshme operative në fushat e saj të ekspertizës, si: anëtare e Këshillit drejtues të Institutit të së Drejtës Europiane, me qendër në Vienë, Austri (ELI); anëtare e bordit editorial të revistës shkencore juridike rajonale “SEE Law Journal”, mbështetur nga fondet e Komisionit Europian (programet Erasmus+ Jean Monnet Associations); anëtare e jashtme e komisionit për përgatitjen e Kodit Civil të Maqedonisë, të ngritur pranë Akademisë së Shkencave në Shkup; anëtare e Forumit të së Drejtës Civile të Europës Juglindore, të themeluar nga GTZ/GIZ, aktiv gjatë viteve 2009-2014; anëtare e shoqatës “Friends of the Hamburg Max-Planck-Institute for Comparative and International Private Law”; dhe anëtare e Dhomës së Avokatisë, Tiranë. Ajo ka qenë anëtare e Bordit të Administrimit të UT, ndërsa aktualisht është anëtare e Senatit Akademik të UT-së dhe Drejtuese e Departamentit të së Drejtës Civile.