Prof. Dr Kestrin Katro është diplomuar në Drejtësi në vitin 1994 me rezultate të shkëlqyera pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në këtë Universitet ajo ka përfunduar edhe studimet master në vitin 2003 dhe ato doktorale në vitin 2009 duke fituar gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2002 ajo është specializuar në Universitetin e Nebraskës, Linkoln (ShBA) për mësimdhënie në programet master dhe doktoraturë. Gjatë viteve 2008-2011 ka bërë kërkime shkencore në Universitetin “Sapienza” të Romës, Itali.
Fusha e saj e studimit dhe e kërkimit përfshin të drejtën e detyrimeve dhe kontratave, të drejtën e falimentimit dhe të drejtën e biznesit. Ajo ka një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor.
Është bashkautore apo drejtuese e disa projekteve shkencore.Nga viti 1994 deri në vitin 2000 ajo ka punuar në administratë publike (Bashkia e Tiranës, Ministria e Transportit dhe Tregtisë, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit).
Nga viti 2000 e më pas është personel akademik me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, ku gjatë viteve 2008-2020 ka mbajtur detyrën e Zëvendësdekanes. Gjatë periudhës 2016-2020 ka qenë anëtare e Senatit Akademik të UT-së.
Gjatë periudhës 2008-2015 ka qenë anëtare e Këshillit të Fakultetit të Drejtësisë. 2015-2019 ka qenë anëtare e Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Drejtësisë. Ajo ka një kontribut të madh institucional me pjesëmarrje në shumë komisione të ndryshme në Fakultetin e Drejtësisë apo në rang universiteti. Ka dhënë kontribut në hartimin e shumë prej kurrikulave të reja në Fakultetin e Drejtësisë.
Që nga viti 2015 mban titullin “Profesor”. Në vitin 2011 ka marrë titullin “Profesor i asociuar”.Prof.Dr. Kestrin Katro ka marrë pjesë në një sërë tryezash për diskutim të projekt-ligjeve të ndryshme (sidomos ato të organizuara nga Kuvendi i RSH-së), ka dhënë opinione ligjore apo ka hartuar oponenca për ligje apo akte nënligjore.
Gjithashtu, ajo ka eksperiencë si vlerësuese e programeve të studimit në arsimin e lartë, pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Prof.Dr. Kestrin Katro është autore e një sërë punimesh shkencore të paraqitura në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Email: [email protected]