Prof. Dr. Eralda (Methasani) Çani

Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, profesore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (FD, UT) që prej vitit 1998 dhe vijim, në programet bachelor, master dhe atë të doktoraturës, në lëndë të së drejtës publike, kryesisht e Drejtë Administrative, e Drejtë Administrative e Bashkimit Evropian, të Drejtat e Njeriut, Marrëdhënieet e Punës në Administratën Publike, e Drejtě Kushtetuese dhe Administrative, apo edhe të tjera si e Drejtë Kushtetuese e Krahasuar, Histori e Institucioneve Politiko-Juridike, etj., dhe ku ka mbajtur edhe pozicione të ndryshme administrative. Eshtë lektore pranë Institutit të Studimeve Evropiane të UTsë në lëndën e të drejtave të njeriut, si edhe me kohë të pjesshme pranë Shkollës së Magjistraturës që prej vitit 2010.
Është diplomuar në drejtësi pranë FD, UT në vitin 1996, ka studiuar në Rijksuniversiteit, Lejden, Hollandë (1995), studimet pasuniversitare LL.M. në ‘E Drejtë e Krahasuar Kushtetuese’ i ka kryer pranë New York School of Law, SHBA/Central Eastern University, Budapest, Hungari (1998), dhe studimet e Doktoraturës në të Drejtë Publike pranë UTsë në vitin 2008. Në vitin 2011 fitoi titullin akademik “Asistent Profesor” dhe në vitin 2015 titullin akademik “Profesor”.
Ka eksperienca të shumta kërkimore shkencore dhe ka dhënë kontribut si eksperte në fushën e së drejtës dhe hartimin e politikave publike për institucione publike qendrore dhe vendore, përfshirë zyrën e Kryeministrit, ministri të ndryshme, Departamentin e Administratës Publike, Avokatin e Popullit, ILDKPKInë, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Kuvendin, Gjykatën Kushtetuese, institucione të tjera të pavarura, si dhe organizata ndërkombëtare, si OSBE, UNDP, FAO (UN), ILO (UN), UNWOMEN, Banka Botërore, OECD/SIGMA, USAID, GIZ, Delegacioni Evropian në Shqipëri dhe Kosovë, Akademinë Rumune të Shkencave, apo edhe rajonale si ReSPA-Shkolla Rajonale e Administratës Publike. Është angazhuar intensivisht në shoqërinë civile vendase duke drejtuar organizata jo-fitimprurëse dhe zhvilluar projekte të shumta në fushën e së drejtës. Gjatë periudhës 2013-2016 ka kontribuar si Këshilltare e Kryeministrit për të Drejtën Publike, dhe 2016-2017 si Zëvendësministre e Integrimit Evropian.
Është bashkëautore e Fjalorit të Parë Shqipëri-Kosovë të të Drejtave të Njeriut, e disa teksteve dhe librave, si “Shteti i së drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, Ed. e “Çështje të së Drejtës Administrative në vështrim krahasues”, “Njohuri themelore mbi të drejtën kushtetuese dhe administrative: cikël leksionesh për studentët”, “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë”, etj. Është hartuese apo kontribuese e hartimit të strategjive, akteve ligjore dhe nënligjore, manualeve të ndryshme për administratën publike, si p.sh. manualet për konfliktin e interesave në Shqipëri, kode etike të institucioneve të ndryshme përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Kuvendin. Gjithashtu, ka shkruar një sërë artikujsh dhe realizuar prezantime në konferenca, simpoziume apo seminare kombëtare dhe ndërkombëtare në fushat e së drejtës administrative, kushtetuese dhe publike në përgjithësi, si dhe të drejtave të njeriut.