Si të monitorojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese?

Trajnim: “Si të monitorojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese?”

 

 

Në kuadër të zbatimit të Projektit: “Përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane përmes gjykimit kushtetues”, që po zbatohet nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, më datë 14.10.2024, u organizua trajnimi me temë: “Si të monitorojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese?” Ndër të tjera, ky projekt synon përfshirjen e studentëve nëkërkimin shkencor, me qëllim aftësimin profesional dhe rritjen e kontributit të tyre në kërkimin shkencor përzhvillimin e së drejtës në Shqipëri.

 

Trajnimi u fokusua te dhënia e njohurive teorike dhe praktike mbi mënyrën sesi një jurist i ardhshëm mund të bëjë kërkimin e duhur në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese dhe të monitorojë vendimet e saj, për t’i përdorur për qëllimet e këtij projekti dhe me gjerë.

 

Prof.Asoc.Dr. Oriona Muçollari, Përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike vlerësoi punën e Fakultetit të Drejtësisë dhe të këtij Departamenti, për realizimin e një programi mësimor cilësor si dhe për përfshirjen e studentëve në aktivitete që nxisin aftësinë krijuese. Ajo nënvizoi se zbatimi i këtij projekti do të shërbejë si një urë lidhëse me administratën publike si dhe me vetë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, për ta sjellë jurisprudencën e saj më pranë studiuesve dhe institucioneve.

 

Prof. Dr. Aurela Anastasi, drejtuese e projektit, vuri theksin te rëndësia e interpretimit kushtetues në aspektin krahasimor për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Prof.Dr. Anastasi u shpreh se ky projekt do të ketë në fokus studimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të evidentuar sesi ato nxisin përafrimin e legjislacionit tonë vendas me atë të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti do të zhvillohet një një instrument i ri kërkimor, i cili do të shërbejë për përparimin e metodologjisë së studimit në lëndën “E drejta Kushtetuese e Krahasuar” dhe njëkohësisht, si shembull për stafin akademik, në kërkimet e tjera të ngjashme në të ardhmen.

 

Doktorante Nadia Guni, koordinatore e projektit, prezantoi qëllimin, objektivat dhe aktivitetet e projektit.

 

Dr. Erind Merkuri, trajtoi metodologjinë për kërkimin dhe monitorimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai shpjegoi për studentët rëndësinë e saj për nxjerrjen e të dhënave cilësore, i cili i jep një kuptim të thellë dhe të mirëkuptuar për mënyrën sesi kjo Gjykatë i qaset legjislacionit të BE-së në këtë fazë të paranëtarësimit.

 

Dr. Pjereta Agalliu, theksoi se qëllimi i monitorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sigurimi i të dhënave sasiore në lidhje me përafrimin e legjislacionit, duke ndihmuar në rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve për zbatimin e kërkesave të vendimit.

 

Trajnimi u mbyll me pyetje dhe diskutime nga ana e studentëve, të cilët u aftësuan për të ndihmuar në zbatimin e projektit dhe metodologjinë që do të përdorin për nxjerrjen e të dhënave cilësore dhe sasiore nga monitorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.