Shkolla “Transparenca dhe Qeverisja e Hapur”, 2024
Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka vënë në zbatim projektin kërkimor “Transparenca dhe Qeverisja e hapur”, drejtuar nga Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, në bashkëpunim me Prof.Asoc.Dr. Enkeleda Olldashi dhe Dktrn. Andrea Mazelliu. Projekti realizohet edhe me kontributin e pedagogëve, profesionsitëve të së drejtës publike dhe shoqërisë civile brenda dhe jashtë vendit.
Aktiviteti themelor i këtij projekti lidhet me realizimin e shkollës “Transparenca dhe Qeverisja e Hapur”, me qëllim formimin sa më të plotë të studentëve të drejtësisë në drejtim të tematikave të rëndësishme të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes, siç janë transparenca dhe qeverisja e hapur. Shkolla synon që të sjellë një qasje sa ligjore aq edhe praktike për respektimin e këtyre parimeve nën kënvështrimin e aktorëve të ftuar nga administrata publike, shoqëria civile, institucionet e pavarura si dhe studentët.
Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, Prof.Asoc.Dr. Enkeleda Olldashi dhe Dktrn. Andrea Mazelliu paraqitën qëllimin e projektit që po zbatohet dhe rëndësinë e Shkollës “Transparenca dhe Qeverisja e Hapur” për personelin akademik, studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhë këdo të interesuar. Projekti i kushtohet një çështje me rëndësi në shtetin e së drejtës në Shqipëri, transparencës dhe qeverisjes së hapur. Këto janë themeli i një shteti demokratik që vihet në shërbim të interesit publik, dhe pa të cilat edhe anëtarësimi i vendit tonë në BE do të bëhej i pamundur.
Ky aktivitet u përshëndet në mënyrë të veçantë nga Z.Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili vlerësoi përpjekjet e çdo institucioni për të dhënë kontributin e tij në drejtim të garantimit të drejtës për informim si e drejtë themelore e njeriut. Ai vuri theksin në nevojën për garantimin e transparencës në Shqipëri dhe progresin e vendit në procesin e integrimit evropian.
Prof.Asoc.Dr. Ela Kërka, Zv.Dekane pranë FDUT vlerësoi rëndësinë e Shkollës “Transparenca dhe Qeverisja e Hapur” dhe falenderoi profesoret dhe Departamentin e së Drejtës Publike për ndërmarrjen e nismave të tilla, zbatimin e projekteve me vizion afatgjatë, me një program të ngjeshur dhe që kërkon angazhim.
Prof.Asoc.Dr. Orjona Muçollari, Përgjegjëse pranë Departamentit të së Drejtës Publike, FDUT, u shpreh se Depatamenti ka në objektiva të tij marrjen e masave për organizimin e trajnimeve të vazhdueshme që ju shërbejnë studentëve, nëpërmjet projekteve të ndryshme kërkimore. Informacioni i ofruar përgjatë kësaj shkolle do të jetë multidisiplinor, me qëllim që kushdo nga studentët të orientojë njohuritë e tij në fusha specifike të së drejtës.
Në vijim të programit paraqiten prezantimet e tyre Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, Z. Besnik Dervishi dhe Prof.Asoc./Phd. Arta Vorpsi, Lektore e së Drejtës Kushtetuese.
Aktiviteti u përmbyll nga Prof.Asoc.Dr. Enkeleda Olldashi dhe Dktrn. Andrea Mazelliu, Lektor i së Drejtës Administrative, të cilët informuan studentën e angazhuar në këtë Shkollë për realizimin e një kërkimi shkencor dhe paraqiten e gjetjeve kërkimore të rasteve që do të merren për studim në përfundim të shkollës.
Punimet e kësaj shkolle u çelën me datë 18.11.2024 dhe përfundojnë më 25 nëntor 2024.