Njoftohen studentët e vitit të fundit në ciklin e dytë të studimeve, në Programet Master Profesional dhe Master Shkencor (drejtimi publik, penal, civil), në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës se AVOKATURA E SHTETIT, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Projektit të USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST), shpall PROGRAMIN E PRAKTIKËS PROFESIONALE PËR STUDENTËT E DREJTËSISË, PRANË AVOKATURËS SË SHTETIT. Përmes një Programi 6-mujor, me fokus tek angazhimi praktik dhe aftësimi profesional i studentëve të drejtësisë, Avokatura e Shtetit do të hapë dyert për 20 STUDENTË të FDUT, duke i përfshirë ata në punë praktike pranë këtij institucioni dhe avokatëve të shtetit pranë ministrive. Përzgjedhja e praktikantëve do të kryhet nga një Komision i pavarur dhe i paanshëm i ngritur për këtë qëllim, përmes dy fazave: i. aplikimit me dokumenta dhe ii. intervistimit.
Programi është i hapur për studentët që plotësojnë KËTO KRITERE:
– Janë studentë të vitit të fundit në ciklin e dytë të studimeve, në Programet Master Profesional ose Master Shkencor (drejtimi publik, penal, civil), në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës;
– Kanë arritur rezultate të larta akademike në ciklin paraardhës të studimeve (Bachelor) dhe në vitin paraardhës;
– Zotërojnë shumë mirë gjuhën shqipe të shkruar;
– Kanë aftësi të mira komunikuese dhe të punës në grup;
– Janë të gatshëm për t’u angazhuar në përputhje me kërkesat e Programit.
Të gjithë të interesuarit, janë të lutur të paraqesin, deri në datën 17 SHKURT 2014, NË ADRESËN: [email protected], DOKUMENTET E MËPOSHTME:
a. Curriculum Vitae (formati europass);
b. Letër motivimi;
c. Vërtetim nga FDUT, që janë studentë të këtij Fakulteti (i skanuar);
d. Listë notash të ciklit paraardhës të studimeve dhe vitit paraardhës (e skanuar).
Jeni të mirëpritur të aplikoni!