Prof. Zhaklina Peto ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1995, me rezultate shumë të mira. Në vitin 1996 është emëruar personel akademik efektiv pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti I Tiranës, në Departamentin e së Drejtës Civile, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë aktualisht. Gjatë gjithë periudhës akademike ka treguar angazhim të plotë dhe profesional për të realizuar të gjitha shkallët e kualifikimit shkencor dhe profesional dhe tashmë mban titullin ‘Profesor’.
Prof. Peto ka një përvojë shumë-vjeçare në procesin e mësimdhënies si lektore e disa moduleve në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë, gjë që e ka ndihmuar për të qenë njohëse e mirë e doktrinës dhe jurisprudencës vendase dhe asaj të huaj. Formimi i saj akademik dhe profesional si autore e disa teksteve universitare dhe punimeve shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dëshmon për një veprimtari shkencore të pandërprerë në fushën e së drejtës.
Gjatë gjithë veprimtarisë së saj profesionale Prof. Peto ka qenë në pozicione të ndryshme drejtuese duke përfaqësuar Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si anëtare e zgjedhur në Këshillin Shkencor të Fakultetit të Drejtësisë; anëtare e Senatit të Universitetit të Tiranës; përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Civile e zgjedhur në dy mandate; si edhe anëtare e zgjedhur në borde kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është titullare dhe përgjegjëse e lëndëve “E drejtë sociale”, “E drejtë familjare” dhe “Pronësia intelektuale”.