Prof. Dr. Aurela Anastasi

Prof. Dr. Aurela Anastasi


Aurela Anastas. Pedagoge dhe studiuese në lëmin e të Drejtës nga viti 1987; mban titullin “Profesor” nga viti 2005; është anëtare e Akademisë së Shkencave të RSH-së nga viti 2009; Avokate për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut nga viti 1996. Ajo është zgjedhur për dy mandate rresht përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë, UT, ndërsa në periudha afatshkurtra është emëruar zv.dekane e dekane e këtij Fakulteti. Ka punuar pranë Departamentit të së Drejtës Publike për mësimdhënien dhe zhvillimin e disiplinave shkencore të së Drejtës Kushtetuese dhe të Historisë të së Drejtës. Është një nga themelueset dhe hartueset e lëndës “ E drejta Kushtetuese e Krahasuar”, “Barazia gjinore dhe ligji”, si dhe e disa prej disiplinave mësimore që zhvillohen në programet “Master” dhe “Doktoratë”. Është autore dhe bashkautore e teksteve mësimore; ka botuar artikuj studimorë në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare; ka realizuar referate e kumtesa në aktivitetet shkencore si brenda edhe jashtë vendit; ka ligjëruar si pedagoge vizitore në disa universitete, brenda dhe jashtë vendit; është anëtare e redaksive botuese në disa revista shkencore; ka drejtuar dhe ka marrë pjesë në projekte studimore, kombëtare e ndërkombëtare, për zhvillimin e legjislacionit dhe të jurisprudencës. Ka dhënë ndihmesë përmes përfaqësimit si avokate në raste gjyqësore strategjike për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut e në veçanti, të drejtave të grave, të barazisë e mosdiskriminimit. Ka qenë anëtare në disa komisione dhe ka drejtuar grupe pune në kuadrin e reformave kushtetuese e ligjore kombëtare. Ka drejtuar punën studimore e kërkimore për studentët dhe studiuesit e rinj. Ajo është iniciatore dhe drejtuese e disa aktiviteteve shkencore për të rinjtë juristë dhe e krijimit të organizatave pro bono të studentëve të fakulteteve të Drejtësisë, me qëllim ofrimin e ndihmës ligjore falas, për shtresat në nevojë.
Është pedagoge e jashtme dhe eksperte në trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti 2004 e në vijim është zgjedhur në forumet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe pedagoge pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Konstitucionalistëve (nga viti 2014), si dhe anëtare e “Komisionit Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit”, Komisionit të Venecias në emër të Shqipërisë (2016-2020).