Pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë, së bashku me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin Panamericana dhe në Universitetin Guadalajara, Meksikë!

Përfaqësues të stafit akademik të Fakultetit të Drejtësisë, së bashku me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin Panamericana, Meksikë. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, me mbështetjen e Ambasadorit të Meksikës në Itali dhe jo rezident në Shqipëri, Sh.T.Z Carlos Eugenio Garcia de Alba.

 

Delegacioni shqiptar u prit nga rektori i këtij institucioni, Z. Abraham Mendoza Andrande dhe përfaqësues të lartë akademikë. Përgjatë datave 27, 28 dhe 29 Prill 2025, Prof. Asoc. Dr. Iv Rrokaj dhe Prof. Asoc. Dr. Ervin Karamuço, patën kënaqësinë të zhvillonin leksione të hapura në auditorët moderne të kampusit.

 

Universiteti Panamericana, një ndër institucionet private më prestigjioze në Meksikë, është i njohur për cilësinë e kërkimit shkencor në fushën juridike dhe bashkëpunimet me universitete të njohura ndërkombëtare.

 

Në vijim të vizitës, më datë 30 Prill 2025, delegacioni ynë, zhvilloi dhe një takim me Zj. Karla Planter, Rektore e Universitetit Guadalajara. Ky takim kishte në fokus arritjen e marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë mes universiteteve.

 

Kjo vizitë akademike në universitetet partnere jashtë vendit ishte një mundësi e vlefshme për shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.