Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, më 5 Maj 2023, organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Të Drejtat e Njeriut, Kushtetuta dhe e Drejta Ndërkombëtare”, në bashkëpunim me Degën Shqiptare të International Law Association -ILA, Fakultetin e Drejtësisë-Universiteti i Evropës Juglindore, Fakultetin e Drejtësisë- Universiteti i Prishtinës, La Sapienza University, Link University.
Në sesionin hapës të saj, mbajti fjalën përshëndetëse Prof.Aurela Anastas, e cila theksoi se ky bashkëpunim institucional dhe universitar është çelësi i suksesit për bashkëpunime të tjera në të ardhmen, në fushën e të drejtave të njeriut.
Zv.Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Z.Erjon Muharremaj, njëkohësisht dhe Lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, falenderoi të gjithë organizatorët e përfshirë në realizimin e konferencës si dhe uroi suksese në prezantimin e punimeve nga ana e kërkuesve, studiuesve, pedagogëve etj.
Në mënyrë të veçantë konferenca u përshëndet dhe nga Prof.Gentian Zyberi-President i Degës Shqiptare të ILA-s, Prof.Ersi Bozhegu-La Sapienza University dhe Prof.Roberto Russo-Link University.Profesorët shprehën dëshirën dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit midis këtyre institucioneve me qëllim nxitjen dhe përmirësimin e kërkimit shkencor në institucionet arsimore.
Konferenca u organizua në 3 panele paralele, ku u prezantuan rreth 40 punime dhe u diskutua për të drejtën kushtetuese, të drejtën ndërkombëtare si dhe marrëdhëniet midis këtyre të drejtave. Temat e prezantuara në këtë konferencë kishin si qëllim të evidentonin mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe nxitjen e debatit shkencor.
Të pranishëm në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare ishin studentë të Fakultetit të Drejtësisë, ushtrues të profesioneve të lira dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët morën një informacion të vlefshëm dhe të disponueshëm së shpejti në një botim përmbledhës të punimeve të prezantuara.