Organizohet forumi në kuadër të projektit “E drejta e informimit në Shqipëri: vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”

Më 29 qershor 2023, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim
me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtës për Informim,
organizoi forumin në kuadër të projektit “E drejta e informimit në Shqipëri: vendimet e
Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Ky projekt
u mbajt në kuadër të programit Ekspertiza Hulumtuese nga Diaspora Akademike (READ) me
mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Në këtë forum ishin të
pranishëm përfaqësues nga bota akademike, shoqëria civile, si dhe koordinatorë për të drejtën
e informimit të institucioneve qendrore e të pavarura. Ky aktivitet synoi të përforcojë urat e
bashkëpunimit mes akademikëve dhe kërkuesve vendas dhe atyre të diasporës shqiptare dhe
të jetë në shërbim të nevojave për zhvillim të vendit dhe konkretisht dhënien e kontributit në
zhvillimin e veprimtarisë administrative të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave
Personale dhe të Drejtës për Informim.  
Komisioneri Dervishi theksoi se “Veprimtaria e Zyrës është udhëhequr nga promovimi i
kulturës për respektimin e të drejtave të qytetarëve, si themel për një shoqëri demokratike, të
zhvilluar, për institucione të përgjegjshme dhe transparente. Çdo kontribut që mbështet këtë
frymë është i mirëpritur, nga bota akademike, organizata të shoqërisë civile apo grupet e
interesit”.
Dr. Darinka Piqani, Dktrn. Andrea Mazelliu dhe Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani ndanë me
të pranishmit gjetje të projektit, që ka trajtuar veprimtarinë e institucionit për shqyrtimin e
ankesave gjatë periudhës 2020-2022 dhe sidomos, vendimmarrjen e Komisionerit, në
funksion të krijimit të praktikës dhe standardeve rregullatore në këtë fushë.
Në këtë këndvështrim, u sollën për të pranishmit, edhe raste krahasimore nga përvoja në
vende të Bashkimit Evropian. I organizuar në formën e një tryeze të rrumbullakët, në këtë
forum u diskutua mbi forcimin e pavarësisë institucionale të Zyrës së Komisionerit, nxitjen e
transparencës proaktive të autoriteteve publike apo fuqizimin e rolit të koordinatorit për të
drejtën e informimit.

Për më tepër mund të klikoni në linkun e mëposhtem:

—>>

https://www.idp.al/2023/06/29/forum-per-rolin-e-zyres-se-komisionerit-ne-promovimin-e-te-drejtes-per-informim/