Njoftim në kuadër të programit “UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion”

 

Në kuadër të programit “UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion”, një grup kërkuesish nga
Fakulteti i Drejtësisë, UT, po zbatojnë projektin: “Rëndësia e ratifikimit nga Shqipëria të
Konventës së Hagës së 2019 “Për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në
Çështjet Civile dhe Tregtare”, (Konventa e Vendimeve e HCCH 2019).” Ekipi i kërkuesve të
projektit përbëhet nga Prof. Asoc. Dr. Flutura Kola Tafaj, në cilësinë e drejtueses së projektit
dhe Prof. Dr. Nada. Dollani, Dr. Silvana Çinari dhe kandidatja për doktore Entela Memishaj,
në cilësinë e bashkëpunëtoreve.

Objektivat kryesore të këtij projekti janë që të evidentojë (i) se sa efektiv është kuadri ligjor
aktual shqiptar në lidhje me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore (civile dhe
tregtare) të huaja dhe ai i disa vendeve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
në garantimin e njohjes së vendimeve të gjykatave të huaja (kryesisht shqiptare) në çështjet
civile dhe tregtare; dhe (ii) se si mund të lehtësohet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të
huaja në çështjet civile dhe tregtare nëpërmjet ratifikimit nga Shqipëria i Konventës së Hagës
së 2019 “Mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile dhe
tregtare”, e njohur si Konventa e Vendimeve e HCCH 2019, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1
shtator 2023.

Me qëllim arritjen e objektivave të mësipërme janë parashikuar të zhvillohen disa aktivitete,
ku ndër ta edhe: Ngritja dhe trajnimi i një grupi studentësh nga Fakulteti i Drejtësisë (4-5
studentë) që do të asistojnë në kërkimin lidhur me kuadrin ligjor dhe jurisprudencën
shqiptare dhe të huaj. Faza e trajnimit dhe kërkimit nga studentët do të zgjasë në periudhën
17 korrik – 30 shtator 2023.
Studentët që dëshirojnë të angazhohen pro bono në këtë projekt janë të lutur të shprehin
interesin e tyre në adresat e mëposhtme brenda datës 14 korrik 2023:
[email protected]
[email protected]

Flutura Kola Tafaj
Drejtuese e projektit