Leksion I Hapur me Znj. Conny McCormack, diten e Merkure, 1 shkurt 2017, ora 11.00 ne FDUT

KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë dhe Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit te Tiranës, organizojnë Leksionin e Hapur – Bashkëbisedim me Znj. Conny McCormack.

Leksioni i Hapur zhvillohet në kuadër të fushatës advokuese në adresim të korrupsionit zgjedhor, nxitjes së demokracisë së drejtpërdrejtë, rritjes së përfshirjes së rinisë dhe burimeve universitare në diskutimin publik, të ndërmarrë nga KRIIK, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë.

Znj. McCormack do të mbajë një prezantim të shkurtër mbi “Modeli i Shteteve të Bashkuara për iniciativat qytetare dhe referendumet reflekton qasje të ndryshme ndërmjet 50 shteteve. Çfarë kundërshtish janë ngritur ndaj këtyre proceseve dhe çfarë reformash janë ndërmarrë për të fuqizuar këto forma të demokracisë direkte? Si mund të ndikojë teknologjia, përfshi E-aktivizmin, në përfshirjen e qytetarëve, përtej kutisë së votimit?”

Parashikohet që 30 minutat e para të leksionit të hapur do të jenë referim nga Znj. McCormack, ndërsa pjesa në vazhdim bashkëbisedim me pjesëtaret e trupës akademike dhe studentët e pranishëm, si dhe të tjerë persona të pranishëm në auditor.

Për më shumë informacion mbi eksperiencën e Znj. McCormack gjeni më poshtë një biografi të shkurtër të saj:

Conny B. McCormack asiston dhe këshillon organizata të shumta si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, përfshi IFES dhe OSBE/ODHIR. Përgjatë periudhës 1996-2007 ajo ka shërbyer si Kryetarja Zgjedhore për Los Angeles County, Kaliforni, juridiksioni më i gjerë në Shtetet e Bashkuara, me mbi katër milionë zgjedhës të regjistruar. Më parë ajo ka punuar si Kryetarja Zgjedhore e San Diego County, Kaliforni, për shtatë vite, dhe për Dallas County, Teksas, gjashtë vite. Përgjatë vitit 1995, ajo ka punuar për IFES në Moskë, Rusi, si Këshilltare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkombëtarisht, ajo ka shërbyer në misione vlerësimi teknik dhe vëzhgimi zgjedhor në Shqipëri, Armeni, Egjipt, Indonezi, Meksikë, Nigeri dhe Jemen. Znj. McCormack Ajo ka dëshmuar si eksperte e administratës zgjedhore në seanca dëgjimore të Komisionit të Ligjeve të Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe në Komisionin e Administratës së Brendshme të Shteteve të Bashkuara në çështje zgjedhore. Ajo është autore e “Demokracia e Riformatuar; E Ardhmja e Teknologjisë në Zgjedhje”, publikuar në vitin 2016 nga Këshilli Atlantik.

Leksioni i Hapur zhvillohet në sallën  402, ora 11.00