Leksion i hapur “Gjuha e Urrejtjes në Shqipëri”

Më datë 23.05.2023, në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, u zhvillua një leksion i hapur me nismën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. KShH po zbaton nismën “Kundër Gjuhës së Urrejtjes në Ballkanin Perëndimor, e cila ka si qëllim të përgjithshëm të rrisë kapacitetin e Organizatave të Shoqërisë Civile aktive në vendet e Ballkanit Perëndimor, për të monitoruar dhe evidentuar gjuhën e urrejtjes, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për të njohur dhe raportuar gjuhën e urrejtjes në internet nëpërmjet monitorimit sistematik të saj.

Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof.Asoc.Dr.Dorina Hoxha, pasi përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, vuri në pah se ky debat paraqet vlera aktuale në një shtet demokratik ku fjala është mjet i rëndësishëm për të siguruar lirinë e shprehjes dhe gjuha e urrejtjes po përdoret gjithnjë e më shumë tek kushdo që është i ndryshëm. Për Fakultetin e Drejtësisë dhe studentët e tij, është e rëndësishme që të merren njohuritë përkatëse të kësaj fushe, që në ciklin e parë të studimit.

Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zj.Erida Skëndaj, u shpreh se gjuha e urrejtjes është një çështje mjaft delikate, e cila përgjithësisht targeton grupe të margjinalizuara si gratë, komunitetin rom, LGBTI+, etj. Sipas Zj.Skëndaj, ka një mungesë të theksuar të normës bazë të komunikimit në shoqërinë tonë.

Zv.Dekani i Fakultetit, Z.Erjon Muharremaj, vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe institucioneve të pranishme ndaj gjuhës së urrejtjes. Liria e fjalës, e shprehjes, është bazë në një shoqëri demokratike. Megjithatë fjala duhet përdorur siç duhet, dhe pa cënuar dinjitetin, integritetin e askujt.

Zj.Vilma Shurdha, Komisionere pranë Avokatit të Popullit, theksoi se gjuha e urrejtjes ka një përhapje shumë të gjerë. Një ndër problematikat kryesore në parandalimin e saj lidhet me mungesën e përkufizimit të gjuhës së urrejtjes, si në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Prandaj paraqet një rëndësi të veçantë identifikimi i saj, trajtave me të cilat shfaqet si dhe mekanizmave që mund të përdoren për ta luftuar atë.

Drejtoresha e Hetimit Administrativ, pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Zj.Vilfrida Bushati, u shpreh se “Ligji kundër Diskriminimit”, i ndryshuar në vitin 2020, është përafruar me direktivat e BE-së. Në këtë drejtim, gjuha e urrejtjes, është përfshirë si formë diskriminimi në ndryshimet e ndodhura në vitin 2020 tek ligji i sipërcituar, mirëpo për shkak të shfaqjes së saj më të hershme dhe nevojës për të ndërhyrë, institucioni i Komisionerit e ka trajtuar si një rast diskriminimi që prej vitit 2010.

Z.Arben Muka, Drejtor në Drejtorinë e Monitorimit dhe Analizës, pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, evidentoi rolin dhe funksionet kryesore të këtij institucioni edhe në raport me gjuhën e urrejtjes. Gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ky institucion ka konstatuar se gjuha e urrejtjes ka më shume sfond politik.

Leksioni i hapur, i mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë, shërbeu për informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve në lidhje me situatën aktuale në vend lidhur me gjuhën e urrejtjes si dhe mekanizmat efektivë të mbrojtjes kundër saj. Organizimi i tij, përveçse solli së bashku përfaqësues të institucioneve kyçe në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, nxiti dhe mendimin kritik të studentëve, të cilët ishin aktiv me pyetjet dhe diskutimet e shtruara.