KONFERENCË KOMBËTARE: “LEGJISLACIONI SHQIPTAR NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN: ROLI I INSTITUCIONEVE MIDIS SFIDAVE PËR PËRAFRIMIN”

KONFERENCË KOMBËTARE:

“LEGJISLACIONI SHQIPTAR NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN: ROLI I INSTITUCIONEVE MIDIS SFIDAVE PËR PËRAFRIMIN”

Më 23 prill 2025, në mjediset e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (FDUT), u zhvillua Konferenca Kombëtare me temë:

          “LEGJISLACIONI SHQIPTAR NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN:   ROLI I INSTITUCIONEVE MIDIS SFIDAVE PËR PËRAFRIMIN”

Në Konferencë prezantuan studimet e tyre, studiues të spikatur të drejtësisë nga universitete të ndryshme të vendit dhe të diasporës, juristë të institucioneve publike, avokatë, studentë të drejtësisë, etj. Punimet e Konferencës u përshëndetën nga Zv. Rektore e Universitetit të Tiranës Prof. Dr.  Gentjana Sharka, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë UT, Prof. Dr. Dorina Hoxha si dhe nga Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Dr. Doc. Adea Pirdeni, e cila ndau me pjesëmarrësit hapat që po ndërmerren për të përshpejtuar reformat e agjendës sonë Evropiane.

Konferenca u zhvillua në dy sesione. Në sesionin e parë, i moderuar nga Përgjegjësja e Departamentit të së Drejtës Publike, Prof. Asoc. Dr. Oriona Muçollari,  u prezantuan gjetjet e studimit me temë “‘Dialogu gjyqësor’ kushtetues. Çështje të metodologjisë të studimit dhe kërkimit”, nga pedagogët e të drejtës kushtetuese, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Asoc. Dr. Erind Mërkuri, Dr. Pjereta Agalliu dhe MSc. Nadia Guni.

Sesioni i dytë i Konferencës u zhvillua i ndarë në 7 panele me tematika të ndryshme, nga të cilët, një panel u realizua on line, me kumtimet e studiuesve shqiptarë nga Diaspora.

Të pranishmit diskutuan gjerësisht, duke ndarë njohuri, reflektime dhe përvoja në lidhje me tematikën e shtruar. Studentët pjesëmarrës e vlerësuan këtë Konferencë, jo vetëm si një aktivitet akademik, por edhe si një përvojë frymëzuese, duke përjetuar nga afër realitetin e një Shqipërie që ka nevojë të rrisë përgatitjet për t’u bërë pjesë e familjes Europiane.

Organizatorët e Konferencës falënderojnë në mënyrë të veçantë të gjithë pjesëmarrësit studentët e pedagogët, profesionistët si dhe Agjencinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).

Konferenca u zhvillua në kuadër të Projektit: “PËRAFRIMI I LEGJISLACIONIT ME STANDARDET EUROPIANE PËRMES GJYKIMIT KUSHTETUES”, që zbatohet nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me mbështetjen financiare nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, (AKKSHI).