Konferenca Shkencore: Keshilli i Shtetit per Zhvillimin e se Drejtes ne Shqiperi

Departamenti i së Drejtës Publike pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me datë 24 nëntor 2022, organizoi Konferencën Shkencore “Këshilli i Shtetit për Zhvillimin e së Drejtës në Shqipëri, (1929-1944)”.

Kjo konferencë u mbajt me rastin e 110 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe në kuadrin e zbatimit të projektit “Organizimi, funksionimi dhe jurisprudenca e Këshillit të Shtetit në Shqipëri (1929-1944)”.

Konferenca u përshëndet në mënyrë të vecantë nga Prof.Asoc.Dr.Dorina Hoxha-Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, Zj.Vitore Tusha-Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Zj.Klotilda Bushka-Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë.

Konferenca ishte organizuar në dy panele, njëri me fokus Këshillin e Shtetit dhe Kontrollin Kushtetues dhe paneli tjetër Këshilli i Shtetit për Degët e tjera të së Drejtës. Çështjet themelore për diskutim, të sjella përmes punimeve shkencore të pedagogëve ishin: Roli i Këshillit të Shtetit, Ndikimet në të Drejtën Kushtetuese, Kontrollin e Ligjshmërise, Të drejtat e Njeriut, Ndërveprimin me te Drejtën Osmane, të Drejtën Penale, të Drejtën Administrative, të Drejtën Civile, të Drejtën Ndërkombëtare.

Të ftuarit njëzëri përshëndetën organizimin e saj, punën e pedagogëve si dhe vlerën që ka identifikimi i instiucioneve me një vlerë të lartë historike dhe juridike si Këshilli i Shtetit, për zhvillimin e së drejtës në shtetin Shqipëtar në vitet 1929 – 1944. Organizimi dhe funksionimi i këtij institucioni jo vetëm që sjell në vëmendje mënyrën sesi shteti ka qeverisur, por edhe për të kuptuar orientimin e tij drejt sistemeve ligjore demokratike perëndimore, duke zbatuar në Shqipëri nje model shume avangard të kontrollit ligjor dhe administrativ sipas modelit të Këshillit të Shtetit në Francë. Kjo i ka shërbyer konsolidimit të sistemit ligjor shqiptar, kontrollit te eficiences administrative, ligjbërjes së balancuar dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Të pranishëm në këtë konferencë shkencore ishin dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë, të cilët morën një informacion të vlefshëm dhe të disponueshëm së shpejti në një botim që mund t’i shërbejë zhvillimit të programeve të tyre mësimore.