Fakulteti i Drejtësisë, UT në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ dhe Ministrinë e Drejtësisë organizojne Konferencën e 16-të Rajonale në fushën e të Drejtës Ndërkombëtare Private.
Konferenca Rajonale e 16-të vjetore mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private:
“Regjimet Pasurore Martesore dhe të Bashkëjetesave të Regjistruara në të Drejtën Ndërkombëtare Private të BE-së/ Konventa e Hagës për Njohjen e Vendimeve Gjyqësore”
Organizimet e kësaj konference në Rajonin e Europës-Juglindore datojnë që në vitin 2003, ku për herë të parë kjo konferencë u themelua nga Prof. Mirko Živković, Fakulteti i Drejtësisë në Nish, Serbi dhe Dr. Christa Jessel-Holst, Instituti i të Drejtës së Krahasuar dhe Ndërkombëtare Private, Hamburg. Që prej asaj kohe janë organizuar gjithsej 15 konferenca të tilla, si p.sh. në 2003 Serbi (Niš), 2004 Slloveni (Maribor), 2005 Serbi (Beograd), 2006 Kroaci (Zagreb), 2007 Bosnia dhe Hercegovina (Banja Luka), 2008 Mali i Zi (Podgoricë), 2009 Serbi (Novi Sad), 2010 Kroaci (Rijeka), 2011 Maqedoni (Shkup), 2012 Serbi (Niš), 2014 Koroaci (Osijek), 2015 Bosnia dhe Hercegovina (Zenica), 2017 Kroaci (Split), 2018 Kosovë (Prishtinë).
Qëllimi i konferencës ka qenë dhe mbetet të mbledhë së bashku akademikë të rajonit dhe europianë për të diskutuar zhvillimet më të reja në fushën e të drejtës ndërkombëtare private. Aspirata e të gjitha vendeve të rajonit të Europës Juglindore ka qenë aderimi në Bashkimin Europian. Për qëllimin e arritjes së saj kusht paraprak ka qenë gjithmonë integrimi dhe bashkëpunimi rajonal.
Një mbështetës i gjithëhershëm i kësaj konference rajonale vjetore ka qenë GIZ, i cili edhe këtë vit jep mbështetjen për Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. GIZ do të japë mbështetje në kuadër të projektit Fondi i Hapur Rajonal në drejtim të forcimit të pushtetit të gruas në burimet pasurore familjare. Këtë vit do të jetë një kombimin pjesëmarrësish, ku përveç akademikëve do të marrin pjesë edhe noterët dhe punonjës së organeve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga rajoni, si aktorë kyç në rolin e ruajtjes së barazisë gjinore dhe forcimin e pushtetit të gruas në pasurinë e përbashkët bashkëshortore/familjare. Diskutimet e konferencës do të shtrihen mbi Rregulloret e reja të Bashkimit Europian në lidhje me regjimet pasurore bashkëshortore dhe pasojat juridike pasurore të bashkëjetesave të regjistruara si dhe me Konventën më të re të Hagës për njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore në fushën e të drejtës civile dhe tregtare, e vitit 2019.
Megjithëse pjesëmarrësit nga Shqipëria i janë bashkuar në vitet e mëvonshme kësaj konference, Fakulteti i Drejtësisë, nëpërmjet angazhimit maksimal arrin të organizojë këtë vit Konferencën Rajonale në të Drejtën Ndërkombëtare Private në Tiranë.
Konferenca do i zhvillojë punimet përgjatë datave 8 dhe 9 nëntor 2019, në sallat e Hotel Mac Albania, Tiranë.