Prof. Eriona Katro është diplomuar në Drejtësi në vitin 2006 me rezultate të shkëlqyera pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës. Në këtë Universitet ajo ka përfunduar dhe studimet doktorale në vitin 2010 duke fituar gradën shkencore “Doktor”. Po në të njëjtin Universitet ajo ka kryer dhe studimet e postdoktoratës. Fusha e saj e studimit dhe e kërkimit përfshin të drejtën e konkurrencës dhe të drejtën private evropiane.
Ajo ka një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor. Gjatë studimeve të doktoratës ajo është angazhuar si asistent-lektore pranë Departamentit të së drejtës së ekonomisë në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Nga muaji shkurt 2009 deri në nëntor 2014 ka punuar si personel akademik me kohë të plotë pranë Albanian University, ku ka mbajtur edhe postin e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, si edhe postin e Zëvëndës-Rektorit. Më pas ka punuar si personel akademik me kohë të plotë pranë Institutit të Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës dhe nga viti 2016 është personel akademik me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 2015 mban titullin “Profesor” dhe që nga viti 2012 mban titullin “Profesor i asociuar”.
Zonja Katro ka punuar edhe si eksperte në hartimin e projekt-ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri. Gjithashtu ajo ka përvojë si vlerësuese e programeve të studimit në arsimin e lartë, pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Ajo është autore e një sërë punimesh shkencore të paraqitura në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Email: eriona.katro@fdut.edu.al