Në kuadër të ditës ndërkombëtare të Homofobisë, në të gjitha vendet dhe universitetet organizohen veprimtari njohëse dhe sensibilueze kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Për këtë arsye, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, zhvilloi një leksion të hapur, me datë 11.05.2022, me temë “Homofobia dhe krimet e urrejtjes”, të mbajtur nga Prof. Dr. Vasilika Hysi, pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë.
Zv. Dekani Erjon Muharremaj, pasi përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, vuri në pah se gjuha e urrejtjes përdoret tek kushdo që është i ndryshëm. Edhe pse Shqipëria ka bërë progres në kuadër të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me atë ndërkombëtar dhe ka përforcuar politikën e jashtme, sipas Z. Muharremaj mbetet ende punë për tu bërë në drejtim të mentalitetit shoqëror.
Profesor Skerdian Kurti, vlerësoi rëndësinë e temës “Politika Penale kundër krimeve të urrejtjes” që zhvillohet në lëndën e Politikës Penale Evropiane dhe ftoi juristët e ardhshëm të japin kontributin e tyre të vazhdueshëm në përforcimin e saj.
Profesore Vasilika Hysi, e nisi leksionin e përgatitur duke sjellë në vëmendje raportin për vitin 2021, të Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut, i cili ka evidentuar se ka një degradim të të drejtave të njeriut në vendet e Bashkimit Europian, jo vetëm në Shqipëri.
Gjuha e urrejtjes është baza e krimeve të urrejtjes. Komuniteti Rom, Egjiptian dhe LGBTI janë 3 komunitetet më të diskriminuara dhe ndaj të cilëve gjuha e urrejtjes është gati pa kufij. Vështirësia e evidentimit të krimeve të urrejtjes lidhet me raportimin e ulët të tyre, statistikat thuajse inekzistente, si dhe besimi i komuniteteve të diskriminuara tek drejtësia, i cili ende është shumë i ulët.
Profesore Vasilika Hysi theksoi se sfidë e madhe për Shqipërinë mbetet dhe adresimi i krimeve të urrejtjes të kryera nga mediat online, të cilat operojnë në mënyrë të paligjshme. Në vlerësimin e saj profesionistët e ligjit duhet të jenë zëri i komunitetit LGBTI. Njohja e këtyre krimeve dhe zbatimi në mënyrën e duhur i tyre nga juristët që do të jenë zëri i të drejtave të gjithsecilit, ka një rëndësi të veçantë.
Ky leksion i hapur u mbajt dhe nën praninë e veçantë të Z.Arbër Kodra, drejtuesit të organizatës OMSA, e cila ka në fokus të saj mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI. Ai ndau me të pranishmit eksperiecën personale si dhe luftën sociale dhe juridike për shkak të përkatësisë në këtë komunitet. Z. Kodra u shpreh se një rëndësi të madhe në parandalimin e gjuhës së urrejtjes ka së pari pranimi i vetes si dhe edukimi i zinxhirit familje-shoqëri.
Leksioni i hapur, i mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë nxiti mendimin kritik të studentëve, të cilët jo vetëm ishin aktiv me diskutimet e hapura po arritën të evidentonin se shkaqet kryesore të gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve më të diskriminuara lidhen me mungesën e edukimit të vazhdueshëm qytetar, mungesa e hapësirave për mendimin kritik/të ndryshëm, mos përshtatja e ndryshimeve ligjore me realitetin shqiptar, mungesa e bashkëpunimit midis institucionve, edukimi i stafit mësimor duke filluar nga arsimi bazë, etj.