Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, pati kënaqësinë të mirëpresë më datë 28.03.2025, një delegacion të lartë të Universitetit të Poitiers, Francë.
Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Poitiers, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në vitin 2021, falë së së cilës janë forcuar lidhjet akademike dhe mundësitë për shkëmbime të stafit akademik dhe studentëve. Në ndihmë të qëllimit të kësaj marrëveshje vjen edhe Programi ERASMUS+, i cili përmes mobiliteteve studentore përforcon lidhjen midis studentëve anembanë botës.
Ky takim u përshëndet nga Prof.Dr.Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, e cila vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm midis Universiteteve, nisur dhe nga numri në rritje i aplikimeve dhe bursave të fituara nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Poitiers.
Gjatë kësaj vizite u shkëmbyen ide mbi krijimin e mundësive për diploma të përbashkëta, për programe të përbashkëta doktorature apo aplikime për fonde dhe grante ndërkombëtare për projekte të përbashkëta.
Takimi u përmbyll me një tur të shkurtër në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, sallat e leksioneve, Klinikës së Ligjit, Qendrave Kërkimore dhe ambjenteve të tjera në shërbim të studentëve.
Këto aktivitete i shërbejnë ndërkombëtarizimit të universiteteve, forcimit të kërkimit shkencor në fushën e së drejtës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira akademike.