Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Universitetin e Pavias dhe Kolegjin Universitar të S. Caterina Da Siena, organizuan shkollën verore pesë-ditore me titull “Krimi i Organizuar dhe Shfrytëzimi i Punës”, e cila u zhvillua në mjediset e Kolegjit Universitar S. Caterina Da Siena.
Në këtë shkollë verore morën pjesë studentë të ciklit të tretë të studimeve të Masterit Ekzekutiv në Kriminologji, si edhe studentë të programit të studimit të Integruar të Ciklit të Dytë në Drejtësi, të shoqëruar nga Dekania dhe disa pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë.
Gjatë këtyre ditëve u mbajtën leksione nga pedagogë dhe doktorantë të Universitetit të Pavias dhe Triestes, prokurorë, historianë, gazetarë dhe sipërmarrës, të cilët folën për një tematikë tepër të ndjeshme që lidhet me historinë, përmbajtjen dhe zbatimin e legjislacionit italian anti-mafia, duke u dhënë mundësinë studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë për t’u njohur më në imtësi me pikat kryesore të legjislacionit italian anti-mafia që lidhen veçanërisht me krimin e organizuar dhe shfrytëzimin e punës.