Nga 30 maji deri më 2 qershor 2023, Fakulteti i Drejtësisë dhe Prezenca OSBE-së në Shqipëri, organizoi një vizitë kërkimore në dy universitete të shquara në Mbretërinë e Bashkuar e në mbarë botën: në Universitetin e Oksfordit dhe në Universitetin e Kembrixhit.
Vizita kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve dhe të burimeve të Fakultetit të Drejtësisë në ofrimin dhe menaxhimin e programit të kriminologjisë, si edhe njohjen me praktikat më të mira për ngritjen dhe punën e qendrave kërkimore universitare.
Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Dorina Hoxha, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ekipi i projektit të OSBE-së “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”. Ata u takuan me profesorë dhe drejtues të dy universiteteve, mes të cilëve me Kryetarin e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Oksfordit, Prof. Federico Varese, Drejtorin e Qendrës së Kriminologjisë të Oksfordit, Prof. Ian Loader dhe Drejtorin e Institutit të Kriminologjisë në Universitetin e Kembrixhit, Prof. Manuel Eisner.
Ky shkëmbim do të kontribuojë edhe në ngritjen e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë, në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, e cila do të mundësojë kapacitetet e qëndrueshme kërkimore në fushën e kriminologjisë, do të ofrojë mbështetje të vijueshme për Programin Master në Kriminologji dhe do të kontribuojë në hartimin e politikave bazuar te të dhënat.
Qendra Kërkimore e Kriminologjisë do të rrisë kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me të gjitha organet ligjzbatuese. Mbështetja e Institutit të Kriminologjisë të Universitetit të Kembrixhit do të na orientojë jo vetëm në metoda të reja të kërkimit shkencor, por edhe do të krijojë një bazë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha të caktuara të kriminalitetit. Përfshirja e studentëve më të mirë pranë kësaj qendre është prioritet për të nxitur kërkuesit e rinj në fushën e kriminologjisë.
Prezenca e OSBE-së e organizoi vizitën si pjesë e projektit të saj jashtëbuxhetor “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Programi Master, i nisur në dhjetor 2020, ofron një kurrikulum gjithëpërfshirës e të integruar, që mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.