ELSA NEGOTIATION COMPETITION (ENC) 2nd EDITION, zhvillohet nga ELSA Albania në
bashkëpunim me studion prestigjioze të konsulencës ligjore Frost & Fire Consulting.
Edicioni i parë u zhvillua për vitin akademik 2022-2023 dhe fitues u shpall Ekipi i Fakultetit të
Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.
Konkursi konsistonte në simulimin e një procesi negociator që zhvillohej mes dy ekipeve të
përbëra nga 2 – 3 studentë të cilët duhet të negocionin zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje civile dhe
nënshkrimin e një kontrate. Aftësitë negociuese të studentëve, si punë në ekip dhe performancë
individuale, u vlerësuan nga një juri profesionistësh pjesë e ekipit të juristëve dhe avokatëve të
studios ligjore Frost & Fire Consulting. Ekipet e konkurrentëve u këshilluan me një trajner, pjesë
e stafit akademik të fakultetit të tyre.
Simulimi ishte i tillë që, nëpërmjet rasteve komplekse hipotetike, krijoi mundësi reale dhe të
prekshme që studentët të vepronin si avokatë të klientëve me interesa të rëndësishëm ekonomikë.
Procesi vuri në punë edhe aftësitë e konkurrentëve për kërkim ligjor shkencor.
Rrjedha e negociatave ndoqi atë të një procesi të tipik negocimi dhe konsitonte në:
1. Një analizë para-negociatore gjatë së cilës pjesëmarrësit identifikuan interesat dhe
qëllimet kryesore të klientit të tyre,si dhe përcaktuan strategjinë e planifikuar për arritjen
e objektivave. Gjatë prezantimit, pjesëmarrësit argumentuan para jurisë arsyet e zgjedhjes
së strategjisë.
2. Hartimin e marrëveshjes paraprake: kjo fazë e konkursit pasoi atë të raundit të parë të
negocimit mes palëve, pas të cilit pjesëmarrësit hartuan një marrëveshje të shkurtër
paraprake që përmblidhte pikat e dakordësuara.
3. Negocimin e marrëveshjes përfundimtare: pas hartimit të marrëveshjeve të tyre
paraprake, ekipet vlerësuan marrëveshjen e propozuar nga ekipi kundërshtar dhe u
paraqiten në raundin final për negocimin e marrëveshjes përfundimtare.
4. Një analizë pas-negociatore gjatë së cilës konkurrentët parashtruan qëndrimet e tyre në
lidhje me rezultatet në konkurs dhe aspekte të performancës që mund të përmirësonin.
Vlerësimi kryhet nga profesionistë dhe materializohet në vlerësimin me pikë të aftësive
komunikuese dhe organizative, fleksibilitetit dhe punës në ekip, si dhe aftësive të shkrimit dhe
arsyetimit ligjor.
I gjithë organizimi përbën risi në fushën e organizimit të konkurseve për studentët e drejtësisë në
Republikën e Shqipërisë.
Formula e konkurimit është e pa implementuar nga ndonjë organizatë apo institucion organizator
i konkurseve për studentët e drejtësisë. Gjatë konkursit, krijohet mundësia që studentët të vënë
në zbatim aftësi kritike që kërkon tregu i punës: hartimi dhe negocimi i kontratave. Ekselenca
shpërblehet me një praktike pune të paguar, me mundësi punësimi dhe me çmime monetare që
në total kalojnë vlerën e EUR 5000. Mënyra e përzgjedhjes garanton drejtësinë dhe meritokracinë
e procesit. Fakultetet përfaqësohen nga studentë që kanë aplikuar me iniciativën e tyre dhe që
përzgjidhen për të konkurruar pas vlerësimit të profilit të tyre nga Frost & Fire Consulting.
Pritshmëritë për ENC-në e këtij viti janë të larta, duke u bazuar në suksesin dhe mësimet e nxjerra
nga edicioni i mëparshëm. Me përvojën e fituar, ELSA dhe Frost & Fire Consulting synojnë të
përsosin më tej skenarët e simulimit, duke i’u paraqitur studentëve sfida ligjore gjithnjë e më
komplekse dhe realiste për t’u zgjidhur.
Për më tepër, synohet zgjerimi i shtrirjes dhe ndikimit të konkursit, duke tërhequr një grup më të
gjerë studentësh të talentuar të drejtësisë nga universitetet publike dhe private.
Në përfundim, ç’pritet për konkursin e negociatave ELSA të këtij viti nuk është vetëm ruajtja e
standardeve të larta të vendosura nga edicioni i mëparshëm, por edhe për t’i tejkaluar ato, duke
i’u ofruar pjesëmarrësve një përvojë vërtet pasuruese dhe motivuese që rrit aftësitë e tyre dhe i
përgatit ata për sukses të mëtejshëm në fushën ligjore.
Studentët e interesuar mund të aplikojnë nëpërmjet link-ut:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSe2iSlaQ1at1GJRl1mZBTw6_ZOTGUiw6giNuDkeSNwsj_AZg/viewform