Klesta Hysi është pedagoge pranë Departamentit të së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, që nga viti 2008. Ajo është lektore në lëndët: E Drejtë Administrative; Mbrojtja e të Dhënave Personale; Marrëdhëniet e Punës në Administratën Publike dhe në modulin E Drejta Administrative e Bashkimit Evropian. Ka ndjekur studimet e larta dhe ka kryer studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Drejtësisë, UT. Në vitin 2015 ka fituar titullin “Docent”. Fushat e saj të interesit dhe kërkimit shkencor lidhen me çështje të së drejtës administrative, reformat e administratës publike në Shqipëri dhe procesin e integrimit evropian, marrëdhëniet e punës në administratë dhe shërbimin civil, mbrojtjen e të dhënave personale, etj. Ka marrë pjesë në një sërë konferencash shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në projekte kërkimi pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe është autore e disa artikujve brenda fushave të saj të interesit.
Krahas veprimtarisë pranë Fakultetit të Drejtësisë, UT, është angazhuar për 6 vite pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për kuadrin ligjor të shërbimit civil në Shqipëri. Gjithashtu, në kuadër të projekteve ka punuar si eksperte dhe konsultente ligjore për institucione si Departamenti i Administratës Publike dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike. Për 12 vite është angazhuar në disa projekte pranë organizatave të shoqërisë civile vendase dhe ndërkombëtare për reformat administratës publike, shërbimin civil në Shqipëri, reformën në drejtësi, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga organet publike etj.