BISEDË E STUDENTËVE DHE PEDAGOGËVE TË FAKULTETIT, NË MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PËRAFRIMIN E LEGJISLACIONIT SHQIPTAR ME ATË TË BE-SË.

BISEDË E STUDENTËVE DHE PEDAGOGËVE TË FAKULTETIT, NË MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PËRAFRIMIN E LEGJISLACIONIT SHQIPTAR ME ATË TË BE-SË.

Në prag të Ditës së Drejtësisë, më 9 Maj 2025, studentë dhe pedagogë të Fakultetit tonë, zhvilluan një takim në Ministrinë e Drejtësisë, për të diskutuar përvojat e Drejtorisë së Kodifikimit pranë kësaj Ministrie, në lidhje me përafrimin e  legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Znj. Elsonida Rama, Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit dhe punonjës të tjerë të kësaj drejtorie, ndanë me pjesëmarrësit detaje mbi procesin e hartimit dhe përafrimit të ligjeve me standardet e Bashkimit Europian si dhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces. Ata diskutuan rëndësinë e këtij procesi në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, rolin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë rrugëtim si dhe sfidat institucionale, që duhet të përballen për arritjen e standardeve europiane. Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi punën që kryhet nga ky sektor për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përmes hartimit të legjislacionit.

Pedagogët e Fakultetit, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Asoc. Dr. Erind Mërkuri, Dr. Pjereta Agalliu si dhe studentët që morën pjesë në takim, drejtuan pyetje dhe zhvilluan komente në lidhje me rëndësinë e procesit të përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit, si dhe për rritjen e aktivizimit të studentëve të drejtësisë në platformën e konsultimit të projektligjeve.

Ky takim u zhvillua në kuadër të zbatimit të Projektit:“PËRAFRIMI I LEGJISLACIONIT ME STANDARDET EUROPIANE PËRMES GJYKIMIT KUSHTETUES”, që zbatohet nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, (AKKSHI).