Historiku i Bibliotekës së
FDUT

Biblioteka e Fakultetit të Drejtësisë të UT, është themeluar më 01.10.1968, me emërtimin “Kabineti Bibliotekar”, prej vitit 1985, si filial i bibliotekës së UT. Biblioteka ka një fond prej 18.500 librash. Literatura e ofruar është në gjuhën shqipe dhe atë të huaj si anglisht, frengjisht, italisht, rusisht, gjermanisht. Gjithashtu ka dhe 1300 periodik (koleksione revistash). Këtu futen koleksionet e Fletoreve Zyrtare nga viti 1932 dhe në vazhdim, revista “Drejtësia Popullore” nga viti 1948-1993, revista “Studime Juridike”, botim i Fakultetit të Drejtësisë nga viti 2000 e në vazhdim si dhe koleksione të ndryshme juridike. Biblioteka e Fakultetit shërben për mbledhjen, pasurimin, përpunimin, sistemimin, ruajtjen dhe ofrimin në dispozicion të përdoruesve të të gjithë koleksioneve bibliotekare që përmban fondi i saj.

Ambjentet e bibliotekës

Biblioteka ka në dispozicion të përdoruesve 2 salla leximi me 100 vende studimi, të cilat kanë hapësira të nevojshme studimi, janë të ndriçuara mirë dhe kanë sistem klimatizimi dhe një sallë me kompjutera që ofrojnë akses në internet. Sallat e leximit shfrytëzohen për studim të materialeve të tërhequra në sportelet e bibliotekës sipas rregullave të brendshme të bibliotekës. Të gjitha kopjet unike të librave, punimet e doktoraturave dhe punimet e mikrotezave MND nuk dalin jashtë ambjenteve të bibliotekës, ato janë vetëm për përdorim në ambjentet e bibliotekës. Qëllimi kryesor i stafit të bibliotekës është të ofrojë dhe përhapë informacion :

  • Në kohë reale
  • Lehtësisht të aksesueshëm
  • Lehtësisht i kuptueshëm
  • Qasje të lirë
    • Të gjitha këto, bëhen të mundura nëpërmjet skedarëve manual (alfabatik dhe sistematik), teknologjisë së informacionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit.
    • Misioni i bibliotekës është mbështetja në procesin mësimor, kërkimor shkencor duke u ofruar mundësi të kërkimit të informacionit për të gjithë përdoruesit.
    • Vizioni ynë është që biblioteka e fakultetit të funksionojë si një qendër e kërkimit shkencor.

    Listat Bibliografike

    Në kuadër të modernizimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të stafit akademik dhe studentëve, me ndihmën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Universitetit të Tiranës, ju rikujtomë se aksesi në bibliotekën elektronike të Elsevier vazhdon të jetë i hapur. Biblioteka elektronike Elsevier është një ndër bibliotekat më të njohura ndërkombëtare. Aty mund të gjeni tituj punimesh e revistash shkencore si dhe literaturë profesionale nga një larmi fushash të ndryshme. Studentët dhe stafi akademik mund të aksesojnë në çdo kompjuter brenda fakultetit, dy bazat e të dhënave ScienceDirect dhe Scopus.