Më 21 tetor 2024, në kuadër të politikave të Universitetit të Tiranës për ndërkombëtarizimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik, u zhvillua një leksion i hapur nga Profesor Dr. Arkadiusz Wudarski, profesor i së drejtës në Poloni (Universiteti i Szczecin) dhe në Gjermani (Universiteti Evropian Viadrina në Frankfurt/Oder). Tema e leksionit ishte “Family Law in the Context of Social Change and Medical Advancements.”
Profesor Wudarski është një ekspert në fushën e të drejtës civile, të drejtës private evropiane, të drejtës së krahasuar dhe në disa fusha të tjera si e drejta familjare, e drejta e trashëgimisë, e drejta bankare dhe e sigurimeve, e drejta ndërkombëtare private dhe ajo noteriale.
Pas leksionit, Profesor Wudarski pati një takim me Dekanen e Fakultetit të Drejtësisë Prof. Dr. Dorina Hoxha dhe zv/ Dekanin Dr. Erjon Muharremaj, si dhe me stafin akademik të Departamentit të së Drejtës Civile për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit shkencor, duke ndarë përvojat e tij në fushat që i bashkojnë.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e vlefshme për të zgjeruar lidhjet akademike dhe për të forcuar bashkëpunimin shkencor me universitete evropiane me profil të lartë kërkimor dhe shkencor.