Departamenti i së Drejtës Civile i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me datë 12 Qershor 2024, organizoi Konferencën Shkencore Kombëtare “Zhvillime dhe Risi në të Drejtën Private.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të aktiviteteve shkencore kërkimore që ndërmerr Departamenti për rritjen e kërkimit shkencor dhe në një vit që përkon me 30 vjetorit të hyrjes në fuqi të Kodit Civil, një ndër aktet me të rëndësishme të rregullimit të marrëdhënieve juridiko-civile në Shqipëri, si dhe në 20 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kodit të Familjes.

Konferenca u përshëndet në mënyrë të veçantë nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Artan Hoxha, i cili ka qenë pjesë e grupit të punës në hartimin e Kodit Civil aktual. Për Rektorin ka qenë një eksperiencë e veçantë, por dhe unike, duke marrë në konsideratë ndryshimet që sapo kishte pësuar sistemi dhe nevojës për të gjetur formulimet e duhura dhe koherente. Kodi Civil është një legjislacion që përballet me ndyshimet e vazhdueshme që ndodhin në shoqëri, në marrëdhëniet juridike civile, në zhvillimet e teknologjisë. Rektori ishte i mendimit që Kodi Civil, në pjesën e posaçme të tij ka nevojë për formulime të reja dhe pasqyrime të ndryshimeve që ka pësuar shoqëria dhe ekonomia vendase dhe globale. Rektori vuri theksin te roli i Universitetit në zhvillimin e jurisprudencës dhe rritjen e doktrinës, duke kontribuar në zhvillimin në shoqëri, pëveçse në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor. Synimi i legjislacionit shqiptar është të jetë një legjislacion modern dhe i përafruar me aquis communitare, e për këtë ka nevojë për përfshirje të shumë aktorëve.

Prof.Dr.Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, përgëzoi Departamentin Civil për organizimin e kësaj konference, e cila i shërben dhe është pjesë e kërkimit shkencor. Dekania u shpreh se e drejta private ka tashmë një qasje të re, pasi disa marrëdhënie juridike kanë ndryshuar formën e tyre, duke i vënë studiuesit dhe kërkuesit përballë sfidës për përshtatjen e saj. Qëllimi final i konferencave të tilla, sipas Prof.Dorina Hoxha, është ndërmarrja e iniciativave për të bërë ndryshimet e duhura ligjore.

Drejtuesja e Departamentit Civil, në Fakultetin e Drejtësisë, Prof.Dr.Kestrin Katro, vlerëson çdo përpjekje të stafit akademik dhe kërkuesve të rinj shkencor për të bërë një analizë më të thelluar të arritjeve të Kodit Civil, problematikave dhe sfidave më të cilat ndeshet ky Kod sot. Prof.Katro vlerësoi si sfidën më të madhe të fushës së të drejtës civile, zhvillimin teknologjik dhe impaktit të tij në marrëdhëniet juridike civile. Ajo theksoi se punimet e paraqituara në këtë konferencë mund t’i shërbejnë edhe zgjidhjes së dilemës nëse Kodi Civil ka nevojë për ndryshime apo lind nevoja për miratimin e një Kodi të ri. Ajo ndaloi edhe në sfidat me të cilat përballen marrëdhëniet familjare sot, duke përmendur diskutimet që bëhen për konceptin e familjes, për martesën, surrogacinë etj.

Konferenca u organizua në 3 panele paralele, ku referuan punimet e tyre shkencore jo vetëm personeli akademik i Fakultetit të Drejtësisë, por edhe doktorantë, kërkues shkencore brenda vendit, por edhe nga rajoni, duke e fokusuar kërkimin shkencor në këto drejtime:

  • Zhvillimet në të drejtën civile dhe të drejtën e detyrimeve dhe kontratave;

  • Zhvillimet në fushën e marrëdhënieve familjare;

  • Regjimi i pasurive të paluajtshme dhe regjistrimi i tyre;

  • Zhvillimet e të drejtës tregtare, të drejtës së biznesit;

  • Zhvillimet në të drejtën procedurale civile, etj.

Të pranishëm në këtë konferencë shkencore ishin dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë, të cilët morën një informacion të vlefshëm, i cili do të jetë i disponueshëm së shpejti në një botim që mund t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të programeve mësimore dhe ndërmarrjes së iniciativave për ndyshime ligjore.

Leave A Comment