Në datën 10 qershor 2024, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me
Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Universitetin e Pavias, organizuan konferencën
shkencore ndërkombëtare “Krimi, shoqëria, e drejta penale dhe reforma në drejtësi”.
Konferenca është një aktivitet i ndërmarrë në vijim të bashkëpunimit me OSBE-në, për
krijimin e programit “Master Ekzekutiv në Kriminologji” dhe ngritjes së fundmi edhe të
Qendrës së Kriminologjisë, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Përmes këtij programi Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve,
akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të
krimit. Konferenca u hap nga Prof.Asoc.Lirime Çukaj, Përgjegjëse e Departamentit Penal në
Fakultetin e Drejësisë, e cila falenderoi prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Universitetin e
Pavias dhe Universitetin e Cambridge dhe të gjithë pjesmarrësit, për kontributin në realizimin
e kësaj konference, në të cilën do të trajtohen tema që lidhen me reformën në drejtësi.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, falenderoi organizatorët dhe vuri në
dukje se konferenca ka si qëllim të saj kryesor përfshirjen e kërkuesve të rinj në kërkimin
shkencor. Në kushtet ku shoqëria shqiptare është në zhvillim, Prof. Hoxha theksoi se nevoja e
luftës kundër kriminalitetit është më e madhe dhe garantimi i një shoqërie të drejtë e të sigurt
është një sfidë e të gjithë aktorëve. Në këtë aspekt, Fakulteti i Drejtësisë, ka ndërmarrë një
seri aktivitetesh për rritjen e kërkimit shkencor, duke kontribuar në ide, mendime, dhe
cilësinë e doktrinës juridike. Ngritja së fundmi e Qendrës së Kriminologjisë, sipas Prof.
Hoxha do të rrisë trajnimin e kërkuesve të rinj dhe nxisë kërkimin shkencor në fushën e
drejtësisë. Prof. Dr. Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, u shpreh se Masteri Ekzekutiv në
Kriminologji, i pari në llojin e tij, krijuar falë bashkëpunimit me OSBE dhe Fakultetin e
Shkencave Sociale, është tashmë një program dimensional, i cili rrit cilësinë e kërkimit
shkencor. Për më tepër, Qendra e Kriminologjisë, do të ndikojë në rritjen e veprimtarive
kërkimore shkencore dhe forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, sikurse ka rezultuar
bashkëpunimi me Universitetin e Cambridge. Z. Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, trajtoi krimin si një koncept e fenomen social, i cili mund të parandalohet e luftohet përmes koordinimit e bashkëpunimit mes gjithë aktorëve të drejtësisë, shoqërisë dhe botës akademike. Z. Puzzo shpreson se profesionistët e zbatimit të ligjit në
Shqipëri do të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe do të përdorin të dhënat empirike për ta trajtuar
krimin në një perspektivë moderne e shkencore. Konferenca u përshëndet dhe nga Drejtori pranë Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Z. John Kastning, sipas së cilit një rol të rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të qënieve njerëzore ka edhe shkëmbimi i ideve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. Z. Sergio Seminara, nga Universiteti i Pavias dhe Zj. Giovana Torre, Rektore e Kolegjit Universitar “Santa Caterina da Siena” vlerësuan kontributin e botës akademike në krijimin e një shoqërie të shëndetshme. Prof. Manuel Eisner, Drejtor i Institutit të Kriminologjisë në Universitetin e Kembrixhit, dhe një nga mbështetësit e Qendrës së Kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë, prezantoi shkurtimisht Institutin e Kriminologjisë të krijuar në Cambrige prej vitit 1959. Ai vuri theksin në ndërtimin e kulturës së kërkimit kriminologjik, me qëllim forcimin e luftës ndaj krimit. Në këtë konferencë prezantuan punimet rreth 60 pjesëmarrës, studentë të Masterit Ekzekutiv në Kriminologji dhe studentë të programeve të tjera të studimit të Fakultetit të Drejtësisë, staf akademik i Fakultetit të Drejtësisë dhe i Fakultetit të Shkencave Sociale, kërkues shkencorë, doktorantë, etj. Ata diskutuan për prirjet aktuale të krimit dhe përgjigjen e drejtësisë penale ndaj krimit, përmes parandalimit, kundërvënies, ndërgjegjësimit dhe rehabilitimit të autorëve. Rekomandimet e dhëna nga ana e autorëve të artikujve, të cilat do të botohen së shpejti në një proceeding book, përbëjnë një rëndësi të veçantë në ndërmarrjen e iniciativave ligjore dhe hartimin e akteve të nevojshme për luftën ndaj krimit dhe reformën në drejtësi.
Leave A Comment