Përfundoi me sukses workshopi 3 ditor, i mbajtur më 22-24 Maj 2024, në Fakultetin e
Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në kuadër të projektit “Sfidat e integrimit evropian dhe
konkurrencës së lirë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, financuar nga
programi “UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion”.
Ky aktivitet u organizua nga personeli akademik i angazhuar në projekt, Prof. Dr. Iva Zajmi,
Doc. Dr. Fjoralba Caka dhe Prof. Asoc. Dr. Jonida Rystemaj, me praninë e veçantë të
profesorëve nga Universiteti i Bonit, Gjermani, Profesor Christian Koenig dhe Krisztina
Mezey. Përgjatë tre ditëve të zhvillimit të tij, studentët u njohën me një këndvështrim sa
krahasues dhe analitik mbi tematikat të lidhura me marrëveshjet e ndaluara, abuzimin me
pozitën dominuese, zhvillimet në Bashkimin Evropian veçanërisht lidhur me ndikimin që ka
pasur neni 102 TFEU në rregullimin e sektorëve specifikë dhe tregjet e reja. Gjithashtu pjesë
e workshopit ishin edhe tema të lidhura me ndihmën shtetërore në kontekstin e Partneritetit
Publik Privat të Institucionalizuar, praktika shqiptare mbi ndërmarrjet me të drejta ekskluzive
në Shqipëri si dhe aspekte të tjera të konkurrencës të lidhura me përqendrimet apo zbatimi
privat në sferën e konkurrencës.
Workshop-i ofroi për studentët informacion të thelluar teorik dhe praktik, nën një perspektivë
krahasuese mbi fushën e së drejtës së konkurrencës, i cili shërben jo vetëm në zgjerimin e
njohurive, por edhe në përgatitjen e eseve apo realizimin e punëve kërkimore përgjatë
studimeve të tyre.
Të gjithë studentët pjesëmarrës do të pajisen me certifikata, në shenjë mirënjohje dhe
vlerësimi për angazhimin e tyre 3 ditor, por dhe stimulimin e tyre për përfshirjen në aktivitete
të ngjashme në të ardhmen.

Leave A Comment