“MJEDISI I SHËNDETSHËM SI E DREJTË THEMELORE DHE OBJEKTIV SOCIAL I SHTETIT: QASJE KRAHASIMORE”
Realizimi i Konferencës u mbështet nga Dekania e Fakultetit, Prof. Dr. Dorina Hoxha si dhe nga Zv.Dekani, Dr. Erjon Muharremaj pedagog i lëndës “E drejta e Mjedisit”.
Në panelin e hyrjes, Prof. Aurela Anastasi theksoi se konstitucionalizmi mjedisor po merr zhvillime të shpejta, veçanërisht në sajë të jurisprudencës së gjykatave ndërkombëtare dhe të gjykatave kushtetuese të vendeve të ndryshme. Në Shqipëri paraqitet nevoja që studimet kushtetuese të fokusohen gjerësisht në të drejtën e mjedisit, për t’u integruar në studimet e krahasuara dhe ato ndërdisplinore, që po përhapen sot gjerësisht në të gjitha kontinentet.
Një theks të veçantë Prof. Aurela Anastasi vendosi në kuptimin e Kushtetutës në lidhje me të drejtën për një mjedis të shëndetshëm, të drejtën për informim si dhe objektivat sociale të Shtetit. Konferenca III Studentore në mënyrë kuptimplotë kërkon të rrisë interesin e studentëve jo vetëm për të ndihmuar rritjen e studimeve në këtë fushë, por sidomos për të kontribuar në forcimin e ndërgjegjes juridike qytetare për çështjet mjedisore.
Dr. Erjon Muharremaj theksoi interesin në rritje për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet që lidhen me të. Midis të tjerave, ai vlerësoi përparësinë e çështjeve mjedisore dhe shtroi detyrimin që, politikat dhe legjislacioni në çdo fushë të jetës duhet të respektojnë mbrojtjen e mjedisit. Ato duhet të miratohen vetëm pasi të kenë marrë në konsideratë ndikimin që do të kenë në mjedis. Përpos çështjeve të tjera të zhvillimeve studimore në lidhje me Mjedisin, ai i kushtoi një vëmendje të veçantë forcimit të lëndës “E drejta e Mjedisit” në Fakultetin e drejtësisë dhe përditësimit të sillabusit të saj.
Dr. Pjereta Agalliu, lektore e të Drejtës Kushtetuese, falenderoi gjithë studentët për pjesëmarrjen e tyre masive në këtë konferencë si dhe i ftoi ata, për studime të thelluara në fushën mjedisore.
Konferenca u organizua në 2(dy) panele, në të cilat sipas programit, prezantuan punimet e tyre studentët:
Eneja Allmuça/ Teojorg Gogu: “The Impact of Acoustic Pollution, a Comparative Observation Between Albania and EU Countries”
MSc.Marinel Prenga: “Vështrim i krahasuar i jurisprudencës gjyqësore të Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave mjedisore”
Emanuel Xhindi: “Interpretime kushtetuese mbi pajisjen e natyrës me personalitet juridik: praktikë gjyqësore dhe studim i krahasuar”
Uendi Dino/ Selvi Sinaj: “Kushtetuta për mbrojtjen e të drejtave mjedisore: Vështrim i krahasuar me kushtetutat e vendeve ballkanike perëndimore”
Esmeralda Metko: “Mbrojtja kushtetuese e të drejtës për mjedis të shëndetshëm – qasje krahasuese”
Alem Bedhija/ Fjona Qafzezi: “Të drejtat e natyrës dhe e drejta për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm: Shqipëria përballë vendeve të BE-së dhe më gjerë”
Paola Koçi/ Regis Shyti: “Transformimi i mjedisit të shëndetshëm nga e drejtë sociale në e drejtë themelore – qasje filozofiko-ligjore dhe krahasuese”
Nosiana Burnazi: “Standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatueshme në mbrojtjen e mjedisit dhe raste nga praktika”
Valbona Çajka/ Zarife Brahaj: “Kushtetuta për mbrojtjen e të drejtave mjedisore (vështrim i krahasuar me vendet e Evropës)”
Arla Shqarri: “Jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me të drejten për mjedis të shëndetshëm”
Arba Ollomani: “Pasqyrimi në legjislacione i së drejtës mjedisore dhe detyrat e shteteve për garantimin e saj”
Kevin Bashllari: “Mbrojtja ligjore e ekosistemit natyror në Republikën e Shqipërisë , qasje e krahasuar”
Me dëshirën që konferencat studentore të kthehen në një traditë, Fakulteti i Drejtësisë falënderon studentët ligjërues për punimet e kryera si dhe bordin shkencor të realizimit të saj të kryesuar nga: Prof. Dr. Aurela Anastasi (Kryetare) me anëtarët: Dr. Pjereta Agalliu, Dr. Erind Merkuri, Ph.D. Arta Vorpsi dhe doktorante Nadia Guni.
Leave A Comment